Çështja e Bahtjarit dhe ajo e Januzit bashkohen në aktakuzën e Haxhi Shalës

Në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DHSK) në Hagë gjyqtari i procedurës paraprake Nicolas Guillou ka miratuar kërkesën e Zyrës së Prokurorit të Specializuar (ZPS) për bashkimin e aktakuzave të konfirmuara në çështjen gjyqësore ndaj Ismet Bahtjarit dhe Sabit Januzit me atë të Haxhi Shalës

Në bazë të vendimit të 8 shkurtit 2024, gjyqtari Guillou i ka dhënë leje ZPS-së të ndryshojë aktakuzën e konfirmuar në rastin 10 (Bahtjari dhe Januzi), raporton “Betimi për Drejtësi”.

“Për arsyet e mësipërme, gjyqtari i procedurës paraprake: a. PRANON Kërkesën për Bashkim; b.I jep leje ZPS-së për të ndryshuar Aktakuzën e Konfirmuar të Rastit 10 në lidhje me Amendamentin e Parë; c. REFUZON Amendamentin e Dytë; d. UDHËZON ZPS-në të ngrejë një aktakuzë të ndryshuar në rastin 10, duke inkorporuar Amendamentin e Parë; e. FTON ZPS-në që të paraqesë një kërkesë të duhur për ndryshimin e Aktakuzës së Konfirmuar të Rastit 10 në lidhje me Amendamentin e Dytë, në përputhje me dispozitat e Rregullës 86 të Rregullores”, thuhet në vendim.

Në arsyetimin e këtij vendimi thuhet se gjyqtari i procedurës paraprake duhet të konstatoj se bashkimi i aktakuzave duhet të vendoset në bazë të aktakuzave të konfirmuar. Andaj gjyqtari i procedurës paraprake nuk e ka për detyrë që të konfirmojë një aktakuzë të bashkuar pasi që procesi i konfirmimit për të dyja rastet tashmë ka përfunduar.

“Gjyqtari i procedurës paraprake vëren se kërkesat e rregullit 89(1) të Rregullores janë në alternativë, dhe se ekzistenca e një të tillë mjafton për të lejuar bashkimin. Gjykatësi i procedurës paraprake rikujton më tej se, në bazë të nenit 39(9) të Ligjit, vendimi për bashkimin e akuzave kundër shumë të akuzuarve është diskrecional. Në ushtrimin e diskrecionit të tij, gjyqtari i procedurës paraprake duhet të vendosë një ekuilibër të drejtë midis nevojës për të siguruar administrimin e duhur të drejtësisë, si p.sh.: (i) shmangia e dyfishimit të provave;(ii) minimizimi i vështirësive për dëshmitarët dhe rritja e gjasave që ata të jenë të disponueshëm për të dhënë dëshmi; (iii) promovimi i ekonomisë gjyqësore; dhe (iv) sigurimin e konsistencës në aktvendime dhe aktgjykime; dhe respektimin e të drejtave të të akuzuarve, në përputhje me nenin 21 të ligjit”, thuhet në vendim.

Pas kësaj, thuhet se gjyqtari i procedurës paraprake ka konstatuar se dy aktakuzat e konfirmuara në rastin 10 dhe 11 i ngarkojnë tre të akuzuarit për vepra të njëjta penale duke specifikuar që kanë vepruar si grup.

“Në veçanti, të dyja aktakuzat pretendojnë se Shala, Januzi dhe Bahtijari bashkërenduan dhe vepruan si grup ndërmjet 5 prillit 2023 dhe 12 prillit 2023 për t’iu afruar një dëshmitari të mbrojtur me qëllim të largimit të tij nga pjesëmarrja në procedurën e DHSK-së. Përveç kësaj, secila aktakuzë identifikon të akuzuarit e tjerë si bashkëkryerës dhe pretendon se ata kishin një plan ose qëllim të përbashkët dhe vepruan në mënyrë të koordinuar për ta zbatuar atë”, thuhet në vendim.

Në vendim thuhet se vërehet që aktakuzat e konfirmuara në këto dy raste lindin nga të njëjtat pretendime faktike.

“Midis 5 prillit 2023 dhe 12 prillit 2023, të tre të Akuzuarit komunikuan me njëri-tjetrin me telefon para dhe pas dy afrimeve të ndara ndaj Dëshmitarit 1; b. Më 5 prill 2023, z. Bahtijari iu afrua Dëshmitarit 1, me qëllim që ta shtynte të tërhiqte dëshminë e tij dhe konfirmoi se [REDAKTUAR] nëse ai dëshmonte; c. Më 12 prill 2023, Januzi iu afrua Dëshmitarit 1, duke treguar se ai po përcjelltë ato nga vizita e Bahtjarit në lidhje me dëshminë e tij, dhe pyeti se çfarë kishte planifikuar të bënte Dëshmitari 1 dhe si mund të trajtohej çështja; d. Gjatë të dy qasjeve, Bahtjari dhe Januzi i treguan Dëshmitarit 1 se ata po vepronin duke u drejtuar nga z. Shala”, thuhet tutje në vendim duke theksuar se të akuzuarit akuzohen për të njëjtat ngjarje.

Ndërsa në kërkesën e vetë, ZPS-ja kishte dorëzuar dy propozim-amendamentesh ku në njërin prej tyre kishte kërkuar ndryshimin e aktakuzës së konfirmuar në rastin 10.

“Amendamenti i Parë, një kërkesë për leje për ndryshimin e Aktakuzës së Konfirmuar të Rastit 10; dhe (ii) Amendamenti i Dytë, i përbërë nga rishikimet e bëra në Aktakuzën e Përbashkët, dhe për të cilin ZPS nuk kërkoi leje. Përderisa procedura e duhur do të kishte qenë që ZPS-ja së pari të kërkonte leje për të ndryshuar më tej Aktakuzën e Konfirmuar të Rastit 10 në përputhje me nenin 39(8) të Ligjit dhe rregullin 90(1)(b) të Rregullores, gjyqtari i procedurës paraprake megjithatë, në interes të përshtatshmërisë, do të shqyrtojë Amendamentin e Dytë dhe do të përcaktojë nëse leja duhet të jepet”, thuhet në vendimin e gjyqtarit

Sipas këtij vendimi, për amendamentin e parë, ZPS-ja kishte pohuar se ai nuk e zgjeron fushën e aktakuzave të konfirmuar dhe as nuk shton akuza të reja.

“ZPS-ja pohon se Amendamenti i Parë nuk e zgjeron fushën e akuzave të konfirmuara ose nuk shton akuza të reja ose më serioze dhe është i nevojshëm për të përshkruar me saktësi detajet e provave që lidhen me faktet materiale që mbështesin akuzat. Në veçanti, ZPS parashtron se Amendamenti i Parë korrigjon detajet në lidhje me deklaratat e Dëshmitarit 1 drejtuar z. Januzi gjatë afrimit të datës 12 prill 2023, në dritën e rishikimeve të bëra në transkriptin e intervistës së Dëshmitarit 1. ZPS më tej argumenton se këto ndryshime nuk janë paragjykuese ose në kundërshtim me të drejtat e të akuzuarve, pasi ato janë në kohë dhe ofrojnë saktësi më të madhe të provave të mbështetura në Rastin 10 me aktakuzë të konfirmuar duke lehtësuar përfundimisht zhvillimin e drejtë dhe të shpejtë të procedurës”, thuhet në vendim duke u potencuar se mbrojtja nuk ka bërë asnjë parashtrim lidhur me amendamentin e parë.

Në lidhje me këtë amendament, gjyqtari i procedurës paraprake ka konsideruar se përmirëson qartësinë dhe saktësinë e çështjes.

“Para dhënies së lejes, gjyqtari i procedurës paraprake duhet megjithatë të marrë në konsideratë ndikimin e mundshëm paragjykues të Amendamentit të Parë. Në këtë kontekst, gjyqtari i procedurës paraprake konsideron se Amendamenti i Parë është ofruar për të përmirësuar saktësinë e provave të mbështetura në Aktakuzën e Konfirmuar të Rastit 10, në dritën e rishikimeve të bëra në transkriptin e deklaratës së Dëshmitarit 1. Prandaj, gjyqtari i procedurës paraprake konstaton se Amendamenti i Parë përmirëson qartësinë dhe saktësinë e çështjes”, thuhet në vendim.

Sa i përket amendamentit të dytë, ZPS-ja kishte parashtruar se aktakuza e përbashkët nuk shton akuza të reja, por ofron pretendime faktike shtesë.

“ZPS parashtron se Aktakuza e Përbashkët nuk shton akuza ose mënyra të reja të përgjegjësisë, dhe si e tillë, Rregulli 86(3)-(4) i Rregullave nuk zbatohet. Përkundrazi, ZPS-ja pohon se Aktakuza e Përbashkët ofron pretendime faktike shtesë, përkatësisht prova të një oferte, në mbështetje të gjymtyrëve alternative të “premtimit për dhuratë ose formë tjetër përfitimi” në lidhje me akuzën për frikësim kundër Januzit dhe Bahtjarit”, thuhet në vendim.

Sipas këtij vendimi, Mbrojtja e Januzit dhe Bahtjarit pretendojnë se ZPS-ja po kërkon që përmes një aktakuze të përbashkët të shtojë akuza të cilat janë hedhur në fazën e konfirmimit për këtë rast.

Me këtë amendament, ZPS-ja ka kërkuar që të ndryshojë aktakuzën e konfirmuar në rastin 10 me disa pretendime që sipas tyre janë faktike.

“Konkretisht, JANUZI i tha Dëshmitarit 1 se SHALA i kishte kërkuar JANUZIT që të përcillte mesazhin se nëse Dëshmitari 1 tërhiqte dëshminë e tij, atëherë SHALA dhe të tjerët pa emër do t’i ofronin ‘ndihmë’. Dëshmitari 1 u përgjigj se nëse SHALA dhe/ose të tjerët e sillnin atij 200.000 euro do të bënin marrëveshje”, thuhet në vendim.

Në arsyetimin e këtij vendim thuhet se gjyqtari i procedurës paraprake mendon se amendamenti i dytë nuk e ndryshon karakterizimin ligjor të aktakuzave mirëpo i ekspozon të akuzuarit ndaj një rreziku shtesë të dënimit.

“Amendamenti i Dytë e ekspozon të Akuzuarin ndaj një rreziku shtesë dënimi. Rrjedhimisht, Amendamenti i Dytë përbën një tarifë të re sipas kuptimit të Rregullit 90(2) të Rregullave dhe rrjedhimisht shkakton zbatimin e Rregullit 86(3) dhe (4) të Rregullave. Për më tepër, gjyqtari i procedurës paraprake kujton se, në vendimin e konfirmimit, ai hodhi poshtë në mënyrë eksplicite pretendimin faktik të “premtimit të një dhurate ose ndonjë forme tjetër përfitimi”, sepse ZPS-ja në atë kohë as nuk ishte deklaruar siç duhet dhe as nuk kishte ofruar prova që e mbështesnin atë”, thuhet në vendim.

Në bazë të kësaj, gjyqtari ka vendosur që ZPS-së t’i jep leje për të ndryshuar aktakuzën e konfirmuar në rastin 10 duke iu referuar amendamentit të parë, ndërsa amendamenti i dytë u refuzua.

Gjithashtu, gjyqtari Guillou udhëzoi ZPS-në që të paraqesë një kërkesë për ndryshimin e aktakuzës së konfirmuar në rastin 10 sipas amendamentit të dytë por në përputhje me dispozitat e rregullores 86.

Pasi u miratua bashkimi i dy aktakuzave, Guillou vendosi se çështja e përbashkët do të vazhdojë me numrin KSC-BC-2023-10, i cili do të riemërohet në atë mënyrë që të përfshihen të tre të akuzuarit.

“….(ii) procesverbali i rastit 11 do të ndërpritet, por do të mbetet pjesë e procesverbalit të rastit të përbashkët iii) të gjitha të dhënat e reja do të dorëzohen (deklarimet, transkriptet, provat, korrespondenca) në procesverbalin e Rastit 10; (iv) Mbrojtja për z. Shala do të ketë qasje në të dhënat e Rastit 10, aq sa është e mundur; dhe (v) Mbrojtja për z. Januzi dhe z. Bahtijari do të ketë qasje në të dhënat e rastit 11, aq sa është e mundur”, thuhet ndër tjerash.

Ndryshe, mbrojtja e Ismet Bahtjarit, përmes avokatit Felicity Gerry KC ka dorëzuar pranë DHSK-së një mocion me anë të secilit ka kundërshtuar bashkimin e çështjeve “Bahtjari dhe Januzi” me atë të Haxhi Shalës.

Në mocionin e 23 janarit 2024 Gerry KC ka kërkuar nga gjyqtari i vetëm që të refuzojë mocionin e ZPS-së për bashkimin e dy çështjeve.

Në parashtrimet e veta, Gerry KC ka thënë se në këtë rast ekzistojnë mangësi procedurale.

Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) ka dorëzuar më 12 janar aktakuzën e përbashkët për çështjen gjyqësore të Sabit Januzit dhe Ismet Bahtjarit dhe atë të Haxhi Shalës.

Në njoftimin që kanë bërë DHSK-ja thuhet se aktakuza e përbashkët për këto dy çështje është konfidenciale.

Në konferencën e tretë me radhë mbi ecurinë e çështjes ndaj Ismet Bahtjarit dhe Sabit Januzit, gjykatësi i procedurës paraprake Nicolas Guillou, kishte nxjerrë një urdhër gojor, ku ZPS-në e urdhëroi që aktakuzën e përbashkët ndaj Bahtjarit, Januzit dhe Haxhi Shalës, ta dorëzojë jo më vonë se 12 janari 2024.

Në seancën e parë, para gjyqtarit të procedurës paraprake, Nicolas Guillou, Bahtjari dhe Januzi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që iu vihen barrë nga Zyra e Prokurorit të Specializuar.

Aktakuza ndaj tyre është ngritur më 4 tetor 2023, me të cilën ngarkohen se kanë tentuar të bindnin një dëshmitar të mos japë dëshmi.

Ata akuzohen për përpjekje për pengim të personave zyrtarë për kryerjen e detyrës zyrtare, me anë të kërcënimit të rëndë, midis më së paku 5 dhe 12 prillit 2023, vepër penale kundër rendit publik, e ndëshkueshme në bazë të neneve 17, 21, 28, 31, 33, 35 dhe 401 (1) dhe (5) të KPK-së, dhe neneve 15 (2) dhe 16 (3) të Ligjit.

Po ashtu, për përpjekje për pengim të personave zyrtarë për kryerjen e detyrës zyrtare, me anë të pjesëmarrjes në veprimin e përbashkët të një grupi, midis më së paku 5 dhe 12 prillit 2023, vepër penale kundër rendit publik, e ndëshkueshme në bazë të neneve 17, 21, 28, 33, 35, dhe 401 (2) dhe (5) të KPK-së, dhe neneve 15 (2) dhe 16 (3) të Ligjit. Po ashtu, për përpjekje për frikësim gjatë procedurës penale, midis më së paku 5 dhe 12 prillit 2023, vepër penale kundër administrimit të drejtësisë dhe administratës publike, e ndëshkueshme në bazë të neneve 17, 21, 31, 33, 35 dhe 387 të KPK-së, dhe neneve 15(2) dhe 16 (3) të Ligjit.

Më 6 tetor, në një njoftim të Zyrës së Prokurorit të Specializuar është thënë se Ismet Bahtjari dhe Sabit Januzi janë arrestuar dhe transferuar në Hagë nën dyshimin se kanë tentuar të bindnin një dëshmitar të mos japë dëshmi.

Sipas aktakuzës, Sabit Januzi dhe Ismet Bahtjari, përmes kërcënimit të rëndë dhe veprimit të përbashkët të një grupi personash në të cilin të dy morën pjesë, tentuan të pengonin persona zyrtarë, si gjykatës, prokurorë, zyrtarë të gjykatës, zyrtarë të prokurorisë apo persona të autorizuar nga gjykata ose prokuroria, në kryerjen e detyrave zyrtare.

Kurse, në aktakuzën e 12 dhjetorit 2023, Kryeprokurorja e Specializuar, Kimberly Ëest akuzon Shalën për frikësim të dëshmitarëve, tentativë me anë të kërcënimit të rëndë për të penguar personat zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare individualisht dhe me pjesëmarrje në grup.