Ramadani: SHBA-ja e emërtoi si paramilitar grupin që sulmoi më 24 shtator

Ish-kryeinspektori i Agjencisë Kosovare për Inteligjencë, Burim Ramadani, ka thënë se në mbledhjen e Këshillit të Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara Shtetet e Bashkuara të Amerikës e kanë emërtuar zyrtarisht si paramilitar grupin e serbëve që sulmuan më 24 shtator në Banjskë.

Sipas tij, SHBA-ja e merr me dyshim që Millan Radoiçiq është udhëheqësi i grupit paramilitar.

“Ambasadorja amerikane në OKB, Linda Thomas-Greenfield, mbrëmë e tha qartë në KS të OKB-së, ndër të tjera: Shtetet e Bashkuara përsërisin dënimin tonë për sulmet e koordinuara, të dhunshme paramilitare serbe ndaj Policisë së Kosovës pranë Manastirit të Banjskës më 24 shtator, të cilat rezultuan në vdekjen tragjike të një rreshteri të Policisë së Kosovës. Kanë kaluar katër muaj nga ky sulm dhe Serbia ende nuk ka kërkuar llogari nga ata që janë përfshirë në planifikimin dhe ekzekutimin e tij. Në të vërtetë, udhëheqësi i vetëshpallur i sulmit mbetet i lirë në Serbi”, shkroi Ramadani në Facebook.