LIVE | Kurti në OKB: Në luftë janë vrarë mbi 10 mijë civilë e u përdhunuan mbi 20 mijë gra, por nuk do të hakmerremi

Kryeministri i Kosovës ka ripërsëritur se dinari nuk është ndaluar në Kosovë por që euro mbetet valuta zyrtare e vendit.

“Vetëm Euroja është mjet pagese në Kosovë. Ne japim grante për serbët dhe më besoni të gjithë i pranojnë eurot. Edhe në Mal të Zi jetojnë serbët dhe as ata nuk e urrejnë euron. Unë do të bëj më shumë komunikim me serbët. Do të flasë serbisht me ta në mënyrë që të kuptojnë situatën. Nuk kam asgjë kundër serbëve. Unë kam miq serb, kam ministra serb, zëvendës avokati i Popullit është poashtu serb”.

Kurti ka përmendur edhe disa institucione tjera të larta në Kosovë që drejtues janë serbët.

“Kriminelët janë individë, nuk ka komunitet kriminel”, ka shtuar Kurti.

Ai ka përmendur edhe konvertimin e targave si një argument se serbët mund të integrohen në Kosovë.

Kurti i përgjigjet Vuçiqit në OKB për "persekutimin e serbëve": Pretendime të rreme nga shteti që kreu gjenocidin e në Ballkan

“Serbët kanë pranuar targat edhe pse shkronja e parë fillon me “R” që simbolizon republikën tonë. Në euro nuk ka simbole të Kosovës, serbët nuk kanë arsye pse të mos e pranojnë euron”.

Kurti ka komentuar edhe ballinat e gazetave serbe se gjoja Kosova po hakmerret ndaj serbëve për atë që u ndodhi kosovarëve në vitin 1999.

“Ne nuk do të hakmerremi. Po janë vrarë mbi 10 mijë civil të pa armatosur e janë përdhunuar mbi 20 mijë gra, por nuk do të hakmerremi. Ne duam drejtësi dhe drejtësia ndodh kur nuk ka hakmarrje. Është me rëndësi që për të pasur paqe mes Kosovës dhe Serbisë nuk do të ketë hakmarrje, këtë e premtojë unë”, ka deklaruar Kurti.

23:34 | Vuçiqi për Banjskën: Integriteti i vetëm territorial që është shkelur është i Serbisë

Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, gjatë adresimit final para OKB-së, foli edhe për sulmin në Banjkës të Zveçanit, duke theksuar se Serbia ka nisur procesin e hetimit dhe pritet të ketë edhe aktakuza.

“Por, duhet ta kuptoni se integriteti i vetëm territorial që është shkelur është i Serbisë”, tha ai.

Lideri serb po ashtu kundërshtoi akuzat e Kurtit se Serbia mbështet aktivitete kriminale dhe pastrim parash përmes dërgimit të dinarëve.

Ai tha se shembulli më i mirë është se dinarët në Kosovë transportohen nga një kompani britanike, e quajtur “Henderson”. Sipas tij, kjo kompani dërgon para në Kosovë për pensionet, rrogat dhe ndihmat e tjera.

23:06 Britania e Madhe përmend tre hapa drejt normalizimit të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë

Përfaqësuesi i Britanisë së Madhe në OKB, në fjalimin e tij gjatë seancës së Jashtëzakonshme të Këshillit të Sigurimit, ka përmendur fillimisht faktin që javën e ardhshme shënohet 16-vjetori i pavarësisë së Kosovës.

Mbretëria e Bashkuar e mirëpret progresin që Kosovë e ka bërë si shtet sovran gjatë kësaj kohe.

Sipas Britanisë së Madhe, mungesa e marrëdhënies normale mes Kosovës dhe Serbisë ka pasur implikime për stabilitetin rajonal dhe për komunitetet në të dyja vendet.

“Tensionet e tanishme ishin të rëndësishme për Kosovën dhe Serbinë për t'u përfshirë në përkushtim të ri ndaj dialogut të lehtësuar nga BE-ja dhe për të bërë progres drejt normalizimit të marrëdhënieve.

Mbretëria e Bashkuar do të vazhdojë të punojë në përkrahje të këtij qëllimi krahas përpjekjeve tona të tjera për të ndërtuar stabilitet rajonal”, thotë përfaqësuesi i Britanisë së Madhe.

Ai ka përmendur tre hapa që do të ndikonin në progres drejt normalizimit të marrëdhënieve, transmeton Zeri.info.

“Tre hapa të menjëhershme mund ta ndihmojnë mbështetjen e këtij qëllimi. I pari, Kosova dhe Serbia duhet t'i respektojnë zotimet e tyre ekzistuese dhe t'i shmangin veprimet e njëanshme ose retorikën që mund ta zvogëlojë perspektivën për marrëveshje gjithëpërfshirëse të normalizimit të marrëdhënieve.

I dyti, Kosova duhet t'i ushtrojë kompetencat e saj sovrane në një mënyrë që është në përputhje me vizionin e një demokracie multientike, e rrënjosur në zemër të Kushtetutës së Kosovës. Përmes veprimeve të fundit të saj, Banka Qendrore e Kosovës ka synuar që ta përmbushë përgjegjësinë e vet për ta rregulluar operimin e valutave të huaja, por zbatimi i këtyre masave nga Qeveria e Kosovës deri më tani ka shfaqur konsideratë të pamjaftueshme për ndikimin ndaj komuniteteve pakicë të Kosovës.

Autoritetet e Kosovës duhet të hartojnë një plan të qartë për t'u siguruar që të gjithë serbët e prekur të Kosovës mund të vazhdojnë që t'i pranojnë të ardhurat e tyre dhe që shërbimet themelore të mund të operojnë derisa të gjendet një zgjidhje e qëndrueshme. Përfundimisht, presidente, Mbretëria e Bashkuar i bën thirrje Serbisë të sigurohet që përgjegjësit për sulmet e shtatorit në Banjskë të mbahen përgjegjës”, tha përfaqësuesi i Britanisë së Madhe në OKB. /Zëri

22:45 | SHBA-ja në OKB: Katër muaj pas sulmit në Banjskë, lideri i grupit terrorist ende i lirë në Serbi

Ambasadorja e SHBA-së në OKB, ka përsëritur qëndrimin e vendit të saj, në lidhje me sulmin terrorist të 24 shtatorit në veri të Kosovës.

Ajo tha se Serbia ende nuk ka marrë në llogari përgjegjësitë e këtij sulmi, duke përmendur që lideri i grupit që kreu sulmin, është ende i lirë në Serbi, transmeton Zeri.info.

“Duam të kërkojmë vëmendjen e këshillit, për kërcënimet që vinë nga jashtë Kosova, SHBA-ja rithekson dënimin e sulmeve paramilitare serbë në Banjskë, katër muaj nga sulmi Serbia ende nuk ka marrë në llogari ata që kanë marrë këtë veprim,. lideri i vetëshpallur i sulmit ende është i lirë në Serbi”.

SHBA-ja i ka kërkuar Serbisë që të bashkëpunojë me KFOR-in në mënyrë që një sulm i tillë të mos përsëritet më.

“I bëjmë thirrje Serbisë që të kërkojë llogari të plotë nga vepruesit, organizatorët dhe sulmuesit e këtij akti. Serbia duhet të bashkëpunoi me KFOR-in që një sulm i tillë të mos ndodhë më”, tha SHBA-ja./Zëri

22:27 |  Kurti fton Vuçiqin në OKB ta nënshkruajnë marrëveshjen, “këtu sot, menjëherë”

Kryeministri i vendit, Albin Kurti në pjesëmarrjen e tij në Këshillin e Sigurimit në OKB, e ka ftuar haptazi para të pranishmëve, presidentin serb, Aleksandar Vuçiq të nënshkruaj marrëveshjen.

Ftesa e tij vie, pasi përmendi që edhe pas shumë përpjekjeve të Kurtit për nënshkrim, Vuçiq ka refuzuar të bëjë një gjë të tillë.

”Përkundër ofertave të mia të përsëritura, Vuçiq ka refuzuar të nënshkruajë. Ndaj, ftoj të nderuar, të nënshkruajë këtu sot, menjëherë, duke theksuar rolin krucial të kartës së OKB-së në këtë marrëdhënie”.

”Ky akt simbolik do të demonstronte përkushtimin e tij për marrëdhënie paqësore me Kosovën”.

22:18 | Kurti në OKB: Serbia ka kryer gjenocid në Kosovë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në seancën e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, tha se Serbia ka kryer gjenocid në shekullin 20. Kurti, pretendimet e presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq, se serbët e Kosovës po persekutohen i ka quajtur ‘ironi të thellë dhe ndjenjë distopiane’.

Duke folur në Këshill të Sigurimit të OKB-së, kreu i Qeverisë së Kosovës tha e Serbia e ka kryer gjenocidin e fundit të shekullit 20, madje sipas tij, ajo ende mbetet i njëjti shtet dhe kërcënuesi më i madh i paqes dhe i sigurisë. “Është një ironi shumë e thellë dhe një ndjenjë distopiane për pretendime të rrejshme për persekutime nga një vend që është njohur që ka kryer gjenocidin e fundit të shek 20 dhe kërcënimet ndaj paqes dhe sigurisë.  Serbia ka kryer gjenocid në Kosovë dhe Bosnjë e Hercegovinë,Këshilli i Sigurimit të OKB-së, e ka formuar Tribunalin e Hagës, për shkak të krimeve çnjerëzore të Serbisë te popullata civile”, tha Kurti.

Ai tha se ky Këshill ka krijuar Tribunalin e Hagës në 1993 për shkak të krimeve sipas Konventës së Gjenevës.

“Serbia ka kryer vrasje, tortura, gjymtime, gjenocid në Serbrenicë dhe Kosovë. Studiuesit kanë treguar se si përdhunimet janë përdorur si mjet lufte, madje nga kjo vuajtje Kosova doli nga lufta si simbol i luftës për dinjitet dhe triumf i të drejtave të njeriut. Nuk kemi qenë të trishtuar, kemi ndërtuar veten në një shoqëri multietnike, që sheh përpara me një shtet solid demokratik”, tha Kurti. Ai tha se një çerek shekulli paslufte Kosova qëndron krenare me një shoqëri për të gjithë. “Qëndrimi i Qeverisë sonë për dinjitetin sundimin e së drejtës ka shtrënguar edhe ekonominë, që nga intervenimi i NATO-së jemi angazhuar në mënyrë aktive nga shumë aleatë për të krijuar institucione efikase”, tha kryeministri Kurti.

22:08 | Kurti përmend në OKB sulmin terrorist të 24 shtatorit 

Kryeministri Albin Kurti, gjatë fjalës së tij në seancën e jashtëzakonshme të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, ka përmendur edhe sulmin terrorist të 24 shtatorit në Banjskë.

Kurti tha se rreth 80 trupa kryen një sulm të paprovokuar ndaj Policisë së Kosovës, duke përmendur vrasjen e policit Afrim Bunjaku dhe plagosjen e dy të tjerëve.

Ai tha se ky sulm ishte mbështetur dhe organizuar nga Serbia, transmeton Zeri.info.

“Rreth 80 trupa paramilitar të mbështetur nga Serbia filluan një sulm të paprovokuar ndaj patrullës policore në Kosovë, duke rezultuar me vrasjen e policit, Afrim Bunjaku dhe plagosjen e dy të tjerëve, përkundër përpjekjes terroriste për të përdorur pelegrinët e pafajshëm si mburojë njerëzore, duke u përpjekur për të gjetur viktima, Policia jonë i ka shmangur këto viktima, më 27 shtator Serbia shpalli tri ditë zie për terroristët e vrarë në Kosovë”, tha Kurti.

“Vuciqi sot përmendi disa polic të lënduar në incidente të ndryshme, por ai nuk përmendi tre terroristët e vrarë, sepse e di që ata kanë qenë terroristë të mbështetur nga ai vet dhe për këtë ata nuk u përmenden fare”, shtoi ai. /Zëri

21:50 | Vuçiqi përsërit kërkesën për kthimin e një numri të forcave serbe në Kosovë

Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq gjatë fjalimit të tij në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, ka kërkuar kthimin e një numri të caktuar të personelit serb në Kosovë.

Sipas tij, kjo do të mbronte serbët e “persekutuar në Kosovë”, ndërsa për këtë thotë se i është drejtuar edhe komandantit të KFOR-it, duke u thirrur në dokumente ndërkombëtare, transmeton Zeri.info.

“Të mundësohet kthimi i një numri të personelit serb që do të vepronte në mbrojtje të serbëve. Edhe pse dokumentet ligjore ndërkombëtare e japin obligimin e komandantit të KFOR-it për të mundësuar kthimin e këtyre forcave, kjo nuk ka ndodhur. Serbia u kërkon vendeve që të mund të ndikojnë në zgjidhjen e çështjeve për të marrë masa më qëllim të normalizimit të gjendjes në Kosovë, duke penguar persekutimin e serbëve dhe duke krijuar kushte për të rifilluar dialogun mes Beogradit dhe Prishtinës në pajtim me kartën e OKB-së dhe rezolutën e KS”, deklaroi Vuçiqi në seancën e Këshillit të Sigurimit të OKB-së. /Zëri

21:38 | Vuçiqi ankohet në OKB për armatimin e blerë nga Kosova

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq gjatë fjalës së tij në seancën e jashtëzakonshme të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, është ankuar për situatën e serbëve në Kosovë.

Ai ka thënë se vendimi i Bankës Qendrore të Kosovë për të ndaluar dinarin, e ka vështirësuar jetën e serbëve në Kosovë, ndërsa sipas tij, qëllimi i këtij vendimi, është dëbimi i serbëve.

“Vendimi për të ndaluar dinarin është vetëm një nga masat sistematike për të sulmuar popullatën serbe me qëllim për të dëbuar serbët”, tha Vuçiqi.

Ai u ankua se perëndimi po armatos Kosovën, edhe pse sipas tij, “thonë se i kanë vendosur sanksione”, transmeton Zeri.info.

“Kosova është sanksionuar nga ata të cilët po armatosin formacione ushtarake atje.Kur kemi kërkuar se sipas cilit dokument janë armatosur formacione ushtarake, përgjigja ka qenë se ata që e bëjnë këtë e njohin Kosovën dhe nuk ju intereson rezoluta 1244. Përpjekjet e Serbisë për të gjetur një zgjidhje për këtë nuk kanë qenë të frytshme”, tha Vuçiqi në OKB. /Zëri

21:30 |Shefja e UNMIK-ut e hap seancën në OKB me qortime për Kosovën

Shefja e misionit të tejskaduar të OKB-së në Kosovë, UNMIK-ut, Karoline Zijade, ka thënë në Këshill të Sigurimti se “pavarësisht legalitetit” autoritetet shtetërore të Kosovës nuk kanë ofruar “kohë të mjaftueshme” për popullatën lokale me zbatimin e Rregullores së BQK-së.

“Ka pasur shpjegim të kufizuar për rregulloren e BQK-së, pavarësisht se për serbët që nga 1999 ka qenë de fakto mjeti ligjor i pagesës. Dhjetëra mijëra janë prekur”, ka thënë Zijade,

“Një furgon me para u ndal në Kosovë, 4 milionë dinarë u konfiskuan në Pejë...Pavarësisht legalitetit, duhet të kenë konsideratë popullatën. Sepse nxisin tensionet”, shtoi ajo.

“Në frymën e parandalimit të konfliktit, duhet t’u fitohen mendjet dhe zemrat e komunitetit”, tha mes tjerash ajo.

21:09 Nis përballja e Kurtit dhe Vuçiqit në KS të OKB-së 

Në New York ka nisur seanca e Këshillit të Sigurimit të OKB-së.

Kosova po përfaqësohet nga kryeministri Albin Kurti, ndërsa e pranishme është edhe ministrja e Jashtme, Donika Gërvalla, transmeton Zeri.info.

Seanca është thirrur në nga Serbia për të diskutuar situatën në Kosovë, ndërsa në seancë po merr pjesë edhe presidenti i Serbisë Aleksandër Vuçiq. /Zëri