Prokuroria kërkon dënimin e zyrtarit të QRA në Malishevë, mbrojtja lirimin e tij

Në seancën e së enjtes në Gjykatën Themelore në Gjakovë, prokurorja Dëshirë Jusaj në fjalën përfundimtare ka kërkuar dënimin e të akuzuarit Besart Gashi, kurse mbrojtësja e këtij të fundit, avokatja Albana Kelmendi, kërkoi lirimin e tij nga akuza.

Gashi po ngarkohet se në cilësinë e zyrtarit të Qendrës së Regjistrimit të Automjeteve (QRA) në Malishevë, ka bërë shkelje ligjore në 623 raste të regjistrimeve të automjeteve, duke i shkaktuar dëm në vlerë prej 5 mijë e 700 euro Komunës së Malishevës.

Prokurorja Jusaj tha se nga provat e administruara, dëgjimi i dëshmitarëve si dhe prova të tjera, është vërtetuar përshkrimi faktik i veprës për të cilën ngarkohet i akuzuari. Ajo i propozoi gjykatës që i akuzuari të shpallet fajtor dhe të dënohet sipas ligjit.

Kurse, mbrojtësja e të akuzuarit Gashi, avokatja Albana Kelmendi, kërkoi që i mbrojturi i saj të lirohet nga akuza.

“Deklarata e të akuzuarit Gashi se iu kishte ndihmuar qytetarëve pa kompensim për regjistrimin e automjeteve, e ka thënë duke pasur parasysh, gjendjen e tyre materiale”, tha Kelmendi.

Në këtë seancë, i akuzuari Gashi është mbrojtur në heshtje.

Paraprakisht, prokurorja Jusaj deklaroi se qëndron pranë propozimit që të administrohen të gjitha deklaratat e dëshmitarëve të dhëna në Polici, me arsyetimin se kanë të bëjnë me çështjen e njëjtë me dëshmitarët e proceduar edhe në Prokurori dhe Gjykatë.

Sipas saj, secila deklaratë e tyre është provë mbi të cilën edhe është ngritur akuza, ku përfshinë edhe dëmin e të dëmtuarës- Komuna e Malishevës.

Propozimin e prokurores e kundërshtoi mbrojtësja e të akuzuarit Gashi, avokatja Albana Kelmendi, me arsyetimin se nuk iu është dhënë asnjëherë mundësia e ballafaqimit me këta dëshmitarë, ashtu siç kërkohet në dispozitat e KPPK-së.

Më pas, trupi gjyues mori aktvendim me të cilin refuzoi propozimin e prokurores që të administrohen si prova deklaratat e dëshmitarëve të dhëna vetëm në Polici, e të cilët më pas nuk janë të intervistuar në Prokurori e as në Gjykatë, më të cilët i akuzuari nuk ka pasur mundësi të ballafaqohet apo t’i kundërshtojë dëshmitë e tyre.

Avokatja Kelmendi propozoi që të administrohet si provë materiale formulari për vlerësimin e rezultateve në punë për të akuzuarin Gashi, për vitin 2023.

Propozimi i saj u kundërshtua nga prokurorja Jusaj pasi nuk përfshihet periudha (2017-2020), për të cilën është ngritur aktakuza. Mirëpo, kryetari i trupit gjykues, gjykatësi Rashkaj e miratoi propozimin e avokates Kelmendi.

Në fund, Kelmendi kërkoi nga gjykata që t’i rezervohet e drejta lidhur me mbajtjen e seancës lidhur me caktimin e dënimit, nëse i mbrojturi shpallet fajtor.

Në aktakuzën e Prokurorisë Themelore në Gjakovë thuhet se Besart Gashi, në cilësi të personit zyrtar në Qendrën për Regjistrimin e Automjeteve në Komunën e Malishevës, ka bërë shkelje ligjore në 623 raste të regjistrimeve të automjeteve, duke i shkaktuar dëm në vlerë prej 5 mijë e 700 euro Komunës së Malishevës.  /BetimipërDrejtësi