Haxhiu tha se Gërvalla e përfaqëson më së miri Kosovën, Beqa: S’kemi asnjë njohje për tre vjet

Gjatë seancës së sotme, ministrja e Drejtësisë Albulena Haxhiu tha se asnjëherë në të kaluarën nuk ka pasur përfaqësim më të mirë të Kosovës sesa që bëhet nga ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla.

Kjo nxiti reagime të shumta, sidomos nga deputetët e PDK-së, që nuk u pajtuan me këtë deklarim të ministres Haxhiu, raporton Zeri.info.

Një ndër ta ishte edhe deputeti Hajdar Beqa, i cili tha se në fakt nuk ka reformë në diplomaci si po pretendon pushteti, por që ka degradim dhe përfaqësim jodinjitoz të Kosovës.

Ai tha se në diplomaci nga koha që ka ardhur LVV-ja në pushtet ka shumë skandale, teksa tha se skandali i fundit është kur Gërvalla jashtëligjshëm i ka blerë gjashtë vetura në Zagreb.

“I fundit skandal është kur ministrja Gërvalla, i ka blerë gjashtë vetura në Zagreb për ambasadorin Martin Berishaj e që me ligj të prokurimit publik kjo nuk lejohet dhe konsiderohet skandal”, u shpreh ai.

Beqa madje tha se nuk e kupton frikën që kanë deputetët e ministrat e pushtetit, duke iu drejtuar se “Nëse nuk gjejmë ne asgjë, i gjen prokuroria e nëse thoni se s’keni bërë asgjë të jashtë ligjshme atëherë pse po frikoheni nga Komisioni hetimor”.

“Hajde ta bajmë Komisioni hetimor edhe ta zbardhim të vërtetën që ju po thoni. Ata që punojnë drejt e mirë dhe e menaxhojnë mirë paranë publike nuk frikohen nga Komisionet Hetimore”

Ai madje u shpreh se për sukseset e ministres Gërvalla dhe ministrisë që udhëheq më së miri mund ta dëshmojë se për gjatë tri vjetëve nuk ka pasur asnjë njohje të pavarësisë së Kosovës e asnjë anëtarësim në ndonjë organizatë ndërkombëtare. /Zëri