Krasniqi: Qëllimi i vetëm i këtij pushteti, varfërimi dhe përbuzja e qytetarit

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka reaguar pasi nuk ka kaluar rezoluta e propozuar nga kjo parti për anulimin e vendimit për shtrenjtimin e energjisë elektrike, si pasojë e abstenimit të deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje.

Krasniqi tha se “qëllimi i vetëm i këtij pushteti është varfërimi dhe përbuzja e qytetarëve të Kosovës”.

“Natyrisht, atyre që e mbrojnë në çdo mënyrë e me çdo kusht Martin Berishajn e Nagip Krasniqin, nuk u bëhet vonë për ankesat e shumë konsumatorëve që kanë pranuar e paguar fatura me çmime enorme përgjatë këtij dimri”, tha Krasniqi.

Për këtë Rezolutë votuan vetëm 29 deputetë, ndërsa 55 prej tyre abstenuan.

Asnjë nga deputetët nuk votoi kundër kësaj rezolute.

Përmes një draft-rezolute, tri partitë opozitare në Kosovë më 18 janar kërkuan uljen e tarifave të energjisë elektrike për konsumatorët në Kosovë.