Akuzat për koordinim me Radoiçiqin përplasin Tahirin e Haxhiun

Në seancën e Kuvendit pati një përplasje mes ministres së Drejtësisë Albulena Haxhiut dhe shefit të PDK-së Abelard Tahirit.

Fillimisht ishte Tahiri, i cili e akuzoi Qeverinë se ka bashkëpunuar dhe është koordinuar me ish-nënkryetarin e Listës Serbe, Milan Radoiçiq, raporton Zeri.info.

“Këqyre Albulenë, në këtë Kuvend për një njeri e dimë që koordinohet me Radoiçiqin, pra veq shefja e grupit tënd parlamentar koordinohet na të tjerët jo. Prandaj, ju Radoiçiqin e keni pasë në dorë dhe e lejuat të dalë nga Kosova si zotëri”, u shpreh ai ndër të tjera.

E i menjëhershëm ka qenë edhe reagimi i ministres Haxhiu kundrejt këtyre fjalëve, e cila ka thënë se ishin pikërisht qeveritë e kaluara që bashkëpunonin me Radoiçiqin dhe të tjerët.

“Prandaj sa i përket Radoiçiqit në 2021 fillim është tërhequr kundërarresti për të, tash ai është në listë e të kërkuarve të INTERPOL-it. Pra, me juve është tërheq, por tash është në listën e Interpolit. Sa i përket veriut ju po harroni që veriun e keni quajtur dhuratë të Rankoviqit. Ju po harroni që ju i keni amnistuar strukturat kriminale me ligjin për arrestimin e kriminelëve serb. Po harroni që i keni lejuar zgjedhjet e Serbisë në Kosovë, i keni lejuar targat ilegale po ashtu, e keni lejuar edhe dinarin, por s’ka më ashtu, s’ka më qysh keni vepruar ju”, u shpreh ajo ndër të tjera.

Madje ajo theksoi se të gjitha këto ishin kundër shtetit të Kosovës dhe se me qeverinë “Kurti” këto gjëra nuk do të ndodhin më. /Zëri