Avdyli i kundërpërgjigjet Tahirit: Njohje na sollën miqtë ndërkombëtarë, jo ju

Po vazhdojnë replikat mes deputetëve të pozitës dhe opozitës në seancën e sotme të Kuvendit të Kosovës.

Pasi Partia Demokratike e Kosovës (PDK) ka propozuar themelimin e Komisionit Hetimor Parlamentar lidhur me nivelin e menaxhimit të marrëdhënies së punës të anëtarëve të Shërbimit të Jashtëm dhe zyrtarëve të Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës, deputetët e pushtetit filluan debatin, raporton Zeri.info.

Shefi i deputetëve të PDK-së, Abelard Tahiri, theksoi se që nga viti 2021 Kosova nuk ka marrë asnjë njohje.

Kjo deklaratë e Tahirit bëri të reagojë deputeti i Listës Guxo, Haxhi Avdyli.

Ai theksoi se nuk kanë qenë pushtetarët në të kaluarën që i kanë sjellë Kosovës njohje, por miqtë ndërkombëtarë.

“Të gjithë pajtohemi që hetimi parlamentar i shërben edhe përmirësimit të punës qeverisëse, edhe adresimit të çështjeve të ndryshme, por kjo nga rendja e të bërit opozitë dhe frika që hetimi të ndahet veç në një pjesë, kjo tregon për frikën që e keni ju si opozitë e tashme, sepse ju po frikoheni të hetoheni për periudhën para vitit 2021 se çfarë Ministrie të Punëve të Jashtme kemi pas e dinë edhe qytetarët dhe të gjitha hetimet që kanë ndodh në të kaluarën. Ju na folët për njohje, me siguri çdo qytetar e di që Ableard Tahiri njohje s’na ka pru, po na kanë pru miqtë ndërkombëtarë”, deklaroi Avdyli. /Zëri