Tahiri për mbledhjen e KS të OKB-së: Kosova po bie në gracën e Serbisë duke u prezantuar bashkë me UNMIK-un

Shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Abelard Tahiri, i ka replikuar deputetes së Lëvizjes Vetëvendosje, Arbresha Kryeziu, rreth deklaratës së saj se PDK-ja po dëshiron ta shpërqendrojë vëmendjen nga mbledhja e Këshillit të Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, pasi Ariana Musliu-Shoshi kërkoi themelimin e një komisioni parlamentar.

Tahiri në seancën e sotme të Kuvendit të Kosovës ka thënë se shkuarja e kryeministrit Albin Kurti në KS të OKB-së është kurth i Serbisë, raporton Zeri.info.

Sipas Tahirit, Serbia çdoherë dëshiron që Kosovën ta prezantojë bashkë me UNMIK-un dhe në këtë mënyrë degradohet subjektiviteti ndërkombëtar i Kosovës.

“E vetmja seancë dhe kënaqësi e Serbisë është me ftu mbledhjen e Këshillit të Sigurimit për Kosovën sepse aty në radhë të parë për Kosovën flet UNMIK-u, pra ata gjithmonë kanë qejf me na pa aty ku flet UNMIK-u për Kosovën dhe pastaj flasin përfaqësuesit e institucioneve të Kosovës pra gjithmonë ata me synimin me degradua shtetin e Kosovës dhe pavarësinë e Kosovës. Synojnë me e pas UNMIK-un të parin dhe në të kaluarën së bashku me partnerët tanë me SHBA-në dhe me ata anëtarë të përhershëm të Këshillit të Sigurimit siç është Britania e Madhe dhe Franca. Jemi dakordu që sa ma ulët me përfaqësua Kosovën në atë nivel sepse është UNMIK-u, pra mundësisht mos me shku as ministri i Jashtëm, as kryeministri, as presidenti mirëpo me shku ambasadori....Ky është një kurth i Serbisë për me prezantua Kosovën bashkë me UNMIK-un, pra kjo është kënaqësia më e madhe e Serbisë me mujt me degradu subjektivitetin tonë ndërkombëtarë e që fatkeqësisht ju bini në grackën e tyre”, theksoi Tahiri, raporton Zeri.info.

Tutje ai kritikoi edhe qeverisjen aktuale e cila nuk ka arritur që të sjell asnjë njohje dhe njohja e fundit që Kosova ka marrë, ka qenë ajo nga Izraeli në kohën kur Avdullah Hoti ishte kryeministër. “Para vitit 2021 kanë ardhur 117 njohje, pra s’ka ndodh asnjë njohje në kohën kur ju keni qeverisë Kosovën, s’ka ardh asnjë njohje, e fundit ka ardh prej kryeministrit Abdullah Hoti pra Izraeli”, deklaroi Tahiri. /Zëri