Haxhiu liston skandalet e Qeverisë në sektorin e shëndetësisë: Pakënaqësitë e stafit mjekësor po rriten

Në seancën e Kuvendit janë duke u diskutuar një sërë çështjesh, por deputeti i PDK-së Bekim Haxhiu ka thënë se një ndër çështjet më të rëndësishme është gjendja në shëndetësi, për çka ka akuzuar Qeverinë se nuk po ndërmerr asnjë veprim.

Ai ka thënë se megjithëse në vitin 2013 dhe 2014 Kosova ka miratuar reformën legjislative në shëndetësi, përmes dy ligjeve substanciale të saj, Ligjit për shëndetësi dhe Ligjit për sigurime shëndetësore, të cilat janë në fuqi, por që të njëjtat nuk po zbatohen dhe po përkeqësojnë gjendjen e shëndetësisë në vend, raporton Zeri.info.

“Skandale të shumta vazhdojnë ta përcjellin shëndetësinë tonë me udhëheqjen e kësaj Qeverie, vrasja e pacientes shtatzënë para Gjinekologjisë, gjymtimi i foshnjës së vdekur në lavanderi në Spitalin e Pejës, djegia e pacientit në Klinikën e Psikiatrisë janë vetëm disa nga skandalet më të mëdha të kësaj Qeverie”, theksoi Haxhiu.

Ai më tej theksoi se Zyra Kombëtare e Auditimit për dy vjet ka evidentuar mbi 15 milionë e 600 mijë euro keqpërdorime në shëndetësi dhe asnjë llogaridhënie e asnjë përgjegjësi. /Zëri