Selmanaj akuzon Qeverinë që s’bëri asgjë për lirimin e ish-ushtarit të UÇK-së, i arrestuar në Serbi

Deputeti i LDK-së, Driton Selmanaj, fjalën e tij në Kuvendin e Kosovës e ka nisur duke përmendur arrestimin e ish-luftëtarit të UÇK-së Hasan Dakaj nga autoritetet serbe, teksa po udhëtonte drejt Italisë përmes pikëkalimit kufitar në Merdar.

Sipas Selmanajt, megjithëse janë bërë një muaj e pesë ditë, institucionet e Kosovës nuk kanë bërë asgjë në këtë drejtim, raporton Zeri.info.

“Janë bërë një muaj e pesë dite që kur ish-luftëtari i UÇK-së, Hasan Dakaj, është arrestuar nga policia serbe në pikëkalimin kufitar në Merdar, teksa po udhëtonte drejt Italisë për një mundësi punësimi dhe ende institucionet e Kosovës nuk kanë bërë asgjë për të. Informatat familjarët po i marrin nga avokati i caktuar nga gjykata e Serbisë dhe jo nga institucionet tona shtetërore, kjo është e papranueshme”, u shpreh Selmanaj.

Sipas tij, kjo dëshmon se institucionet e partia në pushtet nuk janë të përkushtuara.

“Është e papranueshme dhe e pakuptimtë mungesa e përkushtimit maksimal të bartësve të institucioneve të Kosovës për lirimin e Hasanit, për lirimin e tij është folur nga institucionet tona vetëm dy ditë pas arrestimit te tij dhe pastaj askush asnjë fjale dhe asnjë veprim nuk e ndërmorën”, u shpreh ai. /Zëri