Pritjes i erdhi fundi, nënshkruhet kontrata për vazhdimin e punimeve në magjistralen Prishtinë - Mitrovicë

Sot është nënshkruar kontrata për vazhdimin e punimeve në magjistralen Prishtinë - Mitrovicë.

Këtë e bën të ditur ministri i Ambientit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu dhe zëvendësministri Hysen Durmishi në një konferencë për media, raporton Zeri.info.

“Sapo e nënshkruam kontratën për zgjerimin e rrugës që lidh Prishtinën me Mitrovicën. Projekt që ka qenë temë diskutimi në një kohë të gjatë, mbase projektet më te stërzgjatura të pasluftës në Kosovë”, u shpreh Aliu, duke e ditur se kjo rrugë ka qenë temë e shumë diskutimeve dhe një problem i madh për qytetarët që udhëtojnë çdo ditë për këtë.

Aliu tha se me këtë marrëveshje po bëhen hapa drejt finalizimit të këtij projekti dhe njoftoi se janë ndarë 25 milionë euro, që janë marrë hua nga OPEC dhe në bashkëfinancim me Fondin Saudit për Zhvillim.

“Tash një vit është shkëputur kontrata që është paraparë nga një procedurë e auditimit, na zgjaten procedurat për një vit, por presim të kemi rezultate te mira”, u shpreh ai ndër të tjera. /Zëri