Projektligji për KPM-në, Deliu-Kodra akuzon Qeverinë se po tenton të ushtrojë kontroll mbi mediat online

Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Blerta Deliu-Kodra, ka kritikuar Qeverinë e Kosovës rreth Projektligjit për Komisionin e Pavarur të Mediave.

Në seancën e sotme plenare të Kuvendit të Kosovës, Deliu-Kodra, ka thënë se përmes këtij projektligj Qeveria po mundohet t’i frikësojë gazetarët dhe t’i heshtë të gjithë zërat kundërshtues, në këtë mënyrë, siç u shpreh ajo, ta konsolidojë pushtetin e saj pa kontroll, raporton Zeri.info.

Tutje, Deliu-Kodra ka kërkuar nga Qeveria që sa më parë ta tërheqë këtë projektligj, i cili, siç u shpreh ajo, është i rrezikshëm dhe në kundërshtim me të gjitha parimet evropiane të lirisë së medias dhe fjalës.

“Përkundër përpjekjes së partive opozitare që të ndalojnë miratimin e këtij ligji, kishte një diskutim kur për herë të parë ndryshon mënyra e licencimit të mediave online... duke kërcënuar median online me kontroll shkurtimisht që ta mbyllin gojën, Qeveria po tenton që të heshten zërat kundërshtues dhe të konsolidojë pushtetin e saj pa kontroll, rreziqet shkojnë përtej mbytjes së fjalës së lirë, duke i hapur rrugë kështu autoritarizmit dhe censurës. Këto ndryshime dekurajojnë gazetarët që të raportojnë për çështjet me interes publik nga frika e hakmarrjes shtetërore që e kemi parë disa herë. Ky kontroll i medias minon edhe aspiratën e Kosovës për integrim në BE.... duke kërkuar që të kontrollojë mediat online, Qeveria po i dërgon mesazh të qartë partnerëve tanë evropianë se nuk jemi të përkushtuar t’i ruajmë disa vlera që kemi punuar gjatë. PDK-ja i bën thirrje Qeverisë që ta rishikojë e rishqyrtojë për të kontrolluar mediat online, i bëjmë thirrje ta tërheqin këtë ligj para se të bëhet vonë”, u shpreh Deliu-Kodra ndër të tjera. /Zëri