Mustafa i PDK-së: Nxitimi për ndalimin e dinarit rrezikon raportet me aleatët

Koordinatori për Financa në kuadër të Kabinetit për Qeverisje të Mirë të PDK-së, Arben Mustafa, ka thënë se nxitimi për ndalimin e dinarit po rrezikon raportet me aleatët e Kosovës.

Ai e ka kritikuar qeverinë “Kurti” për marrjen e primatit të kësaj teme, e cila sipas tij është çështje krejtësisht që i takon Bankës Qendrore të Kosovës.

“Ku qëndron ngutia kaq e madhe që kjo rregullore të hyjë në fuqi ose tani ose kurrë dhe të krijojë gjithë këtë përplasje me partnerët ndërkombëtarë. Problemi tjetër është involvimi i qeverisë. Çka ka të kërkojë qeveria në këtë temë, ne nuk kemi problem me rregulloren, nëse e lexon rregulloren e BQK-së nuk ka asgjë të keqe, është e formuluar në mënyrë profesionale”, ka thënë Mustafa në Klan Kosova.

“Problemi ynë është involvimi i Qeverisë, marrja e flamurit nga qeveria për këtë temë që nuk i takon dhe në këtë mënyrë e ka shndërruar në temë politike dhe acarim me partnerët ndërkombëtarë”, shtoi ai.

Tutje, ai ka thënë se PDK-ja nuk është kundër zbatimit të kësaj rregulloreje, por sipas tij kjo çështje nuk duhet të merret me nxitim dhe t’i dëmtojë raportet me partnerët ndërkombëtarë.