Safet Gjici dënohet me 2 vite burgim, Alma Kaçi me 1 vit për prostitucion

Gjykata kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka dënuar me 3 vite burgim ish-kryebashkiakun e Kukësit Safet Gjici, i cili për shkak të gjykimit të shkurtuar do të vuajë përfundimisht 2 vite burg për akuzën e shpërdorimit të detyrës dhe i ndalohet që për 5 vite të ushtrojë funksione publike.

Ndërsa Alma Kaçi, protagonistja në videon seksuale me ish-kryebashkiakun Gjici, është dënuar me 1 vit burg për prostitucion.

Trupa gjykuese, që ju desh rreth 4 orë në Dhomën e Këshillimit për të marrë vendimin pas seancës së sotme të mbrojtjes së Gjicit, riakualifikoi edhe veprat penale për të cilat u shpallën fajtorë Gjici dhe Kaçi.

Në muajin Qershor 2023, 1 muaj pas zgjedhjeve lokale kur dhe Gjici u rizgjodh si kryebashkiak i Kukësit, në rrjetet sociale u shfaq një video erotike e Safet Gjicit me Alma Kaçit në zyrën e tij në Bashkinë e Kukësit. Gjici u largua nga detyra në atë kohë, ndërsa SPAK nisi hetimet për të dhe Alma Kaçin.

Hetimet nxorrën në pah se Alma Kaçi kërkonte tender për rehabilitimin e qenve të rrugës në territorin e Bashkisë së Kukësit, dhe kjo ishte arsyeja e takimit me Gjicin. Momentin intim mes tyre, Alma Kaçi e kishte filmuar vetë përmes një kamera sekrete.

Sipas SPAK, fakti që Gjici pas aktit seksual delegon veprimet për projektin e propozuar nga Kaçi te vartësi i tij, ka çuar në konsumimin e veprës penale të korrupsionit. Por kjo akuzë ra pasi u rikualifikua nga GJKKO në shpërdorim detyre.

Por Safet Gjici, në mbrojtjen e tij para gjykatës sot (e mërkurë 7 Shkurt 2024), pretendoi se i ishte ngritur kurth dhe u kërkoi falje familjarëve dhe qytetarëve të Kukësit. Ai insistoi se Alma Kaçi është paguar për të realizuar videon dhe po ashtu se ajo ka pasur komunikime me Abedin Oruçin në lidhje me çështjen e videos dhe kartën e memories që është bërë regjistrimi.

Safet Gjici ka akuzuar Abedin Oruçin, i cili sipas tij, ka paguar Alma Kaçin në shenjë hakmarrje ndaj tij teksa ka pretenduar se kjo ka ndodhur pasi ai nuk e ka lejuar të ndërtojë pa leje në cilësinë e kryebashkiakut të Kukësit.