Fermerët italianë përgatisin demonstratë masive në Romë, kërkojnë lehtësim taksash

Një pjesë e madhe e fermerëve italianë që marrin pjesë në mobilizimet e javëve të fundit, mblidhen të mërkurën në zona të ndryshme të vendit, me destinacion kryeqytetin italian. Sipas asaj që dihet, ata pritet të mbërrijnë në afërsi të Romës nesër, të enjten, dhe nëse jepet leje, të vijojnë me demonstratë ditën e premte.

“Takimet e deritanishme me policinë dhe zyrtarët e prefekturës kanë qenë pozitive. Ne duam të demonstrojmë kundër politikës evropiane dhe kërkojmë mbështetjen e qeverisë Meloni. Shumëkombëshet nuk duhet të favorizohen, në kurriz të prodhimit tonë”, thanë përfaqësuesit e protestuesve.

Mbetet për t’u parë nëse mobilizimi në kryeqytetin italian do të bëhet si një marshim ku fermerët do të marrin pjesë me traktorët dhe kamionët e tyre, apo pa.

“Roma, ku do të demonstrojmë është komuna më e madhe në Evropë, për sa i përket prodhimit bujqësor. Apelet tona nuk duhen anashkaluar, duke filluar nga nevoja për të miratuar, por edhe për të ruajtur një sërë përjashtimesh tatimore”, shtojnë fermerët italianë./abcnews