Anëtarja e trupit gjykues në pushim vjetor, shtyhet gjykimi për korrupsion ndaj zyrtarit të prokurimit në Mitrovicë

Për shkak të mungesës së anëtarit të trupit gjykues, Marigona Lajqi, të merkurën, në Gjykatën Themelore të Mitrovicës është shtyrë seanca, në rastin ku i pandehuri, Haxhimet Ferati në cilësinë e menaxherit të Zyrës së Prokurimit Publik në Komunën e Mitrovicës, po akuzohet se ka keqpërdorur pozitën apo autoritetin zyrtar.

Lidhur me mungesën e saj, kryetari i trupit gjykues, Rrahman Beqiri njoftoi se kishte komunikuar përmes telefonit me kryetarin e gjykatës, i cili e ka njoftuar se gjyqtarja në fjalë ka marrë pushim vjetor për disa ditë dhe nuk ndodhet në Kosovë.

Kujtojmë se anëtarja e trupit gjykues, gjyqtarja Marigona Lajqi ka qenë e pranishme në seancën e datës 16 janar 2024, kur është caktuar data për mbajtjen e seancës së sotme.

Ndërkaq, prezent në këtë seancë ishin prokurori Sahit Tmava, i akuzuari Haxhimet Ferati me mbrojtësin e tij, avokatin Armend Shkoza.

Po ashtu, e pranishme ishte edhe dëshmitarja Florije Salihu e cila pritej të dëgjohej sot.

Në këto rrethana, seanca e sotme është shtyrë ndërsa e radhës është caktuar më 1 mars 2024.

Ndryshe, sipas aktakuzës së ngritur më 2 tetor 2023, Haxhimet Ferati akuzohet se më datën 19 nëntor 2014, në pozitën e menaxherit të prokurimit publik pranë Drejtorisë së Prokurimit, në Komunën e Mitrovicës, duke shfrytëzuar pozitën e tij dhe duke tejkaluar autorizimet e tij, me qellim të përfitimit të kundërligjshëm të një dobie pasurore për vete ose tjetrin. /BetimipërDrejtësi