Bislimi: Serbia tentoi t’i fusë mbi 100 milionë dinarë në mënyrë të paligjshme

Zëvendëskryeminsitri Besnik Bislimi ka dalë me një deklaratë rreth raportimeve që një automjet me dinarë është ndaluar nga autoritetet kosovare në Jarinjë.

Ai thotë se Banka e Serbisë ka dërguar një kamion me para në përcjellje të individëve që prezantohen me kredenciale të një kompanie inekzistente një ditë para mbledhjes së thirrur të Këshillit të Sigurimit.

“Sot Banka ekuivalente e Serbisë (një ditë para mbledhjes së thirrur të Këshillit të Sigurimit), ka dërguar një kamion me para (plot 117.000.000 dinarë) në kufi, në përcjellje të individëve që prezantohen me kredenciale të një kompanie inekzistente, me pretendimin që paratë duan t’i dërgojnë tek një entitet po ashtu inekzistent në Kosovë dhe për interes të përfituesve, emrat e të cilëve as i dijnë e as nuk i kanë. Paramendojeni një paralele ku para inspektorit doganor, shfaqet një kamion me mallra të konsumit të përditshëm, nga individë që prezantohen në emër të kompanive inekzistuese, dhe pretendojnë që mallin janë duke e dërguar tek një kompani, e cila po ashtu nuk figuron askund në regjistrat zyrtarë të shtetit”.

Ndërkaq, zëdhënësi i Doganës së Kosovës, Adriatik Stavileci, tha se kërkesës së kompanisë serbe që pyeti nëse mund të fusin dinarët në Kosovë i janë përgjigjur me vendimin e BQK-së.

“Sot kanë ardhur përfaqësuesit e një kompanie, palës serbe, kanë pyetur në Jarinje se a lejohet, ne ia kemi kumtuar që sipas vendimit të BQK-së, qarkullimi i mjeteve monetare duhet me u bë prej kompanive të autorizuara nga BQK-ja. Kanë kërkuar vetëm informacione. Ne i kemi treguar që kompania duhet me qenë e licencuar dhe e autorizuar nga BQK”, ka thënë Stavileci.

Postimi i plotë:

Banka Qendrore e Kosovës ka vendosur rregulla precize që përcaktojnë se kush dhe si ka të drejtë të importojë euro dhe valuta të tjera në Republikën e Kosovës.

Sipas rregullores, kjo mund të bëhet vetëm nga institucionet financiare bankare dhe jo-bankare të licensuara nga Banka Qendrore e Republikës së Kosovës, për ushtrimin e aktiviteteve financiare bankare dhe atë vetëm pas dhënies së licensës dhe autorizimit të veçantë me shkrim nga Banka Qendrore e Republikës së Kosovës për këtë shërbim.

Kjo rregullore ka hyrë në fuqi nga data 1 shkurt. Për të mundësuar një periudhë tranzitore gjatë së cilës përshtatja do të bëhej pa ndonjë ndikim negativ tek grupe të caktuara të qytetarëve, BQK-ja ka ofruar vullnetin dhe ekspertizën e saj në gjetjen e një zgjidhjeje afatgjatë dhe të ligjshme, që garanton transparencën dhe ruan integritetin e sistemit financiar, duke siguruar kështu edhe sukses në parandalimin e pastrimit të parave. Kjo rregull vlen njësoj si për importin e valutës euro ashtu edhe për dollarin amerikan, funtën angleze, dinarin serb apo çdo valutë tjetër.

Si përgjigje ndaj kësaj, sot Banka ekuivalente e Serbisë (një ditë para mbledhjes së thirrur të Këshillit të Sigurimit), ka dërguar një kamion me para (plot 117.000.000 dinarë) në kufi, në përcjellje të individëve që prezantohen me kredenciale të një kompanie inekzistente, me pretendimin që paratë duan t’i dërgojnë tek një entitet po ashtu inekzistent në Kosovë dhe për interes të përfituesve, emrat e të cilëve as i dijnë e as nuk i kanë.

Paramendojeni një paralele ku para inspektorit doganor, shfaqet një kamion me mallra të konsumit të përditshëm, nga individë që prezantohen në emër të kompanive inekzistuese, dhe pretendojnë që mallin janë duke e dërguar tek një kompani, e cila po ashtu nuk figuron askund në regjistrat zyrtarë të shtetit.

Krejt kjo me shpresën se kështu do arrijnë të manipulojnë e pastaj alarmojnë të gjithë ata që me të drejtë angazhohen për sigurimin e vazhdimit të mbështetjes për kategori të caktuara brenda Kosovës. Kjo flet shumë për nivelin e pavarësisë së institucionit kryesor që udhëheq me “politikën monetare” të Serbisë.

Nuk ka dyshim se kjo dërgesë e tillë, pa asnjë koordinim, paraqet një hap unilateral të Serbisë, me qëllim të shkeljes flagrante të funksionalitetit të institucioneve të Republikës së Kosovës, synon krijim artificial të tensioneve dhe si e tillë meriton të dënohet ashpër nga gjithsecili që kundërshton hapat unilateral.

Republika e Kosovës qëndron plot vullnet që të punojë dhe ndihmojë në gjetjen e mekanizmit që siguron që mjetet e tilla të dërgohen në mënyrë ligjore tek përfituesit fundor, dhe atë në afatin sa më të shpejtë të mundur.