Projektligji për KPM-në kalon në lexim të parë në Komisionin për Media

Komisioni për Administratë Publike, Pushtet Lokal, Media dhe Zhvillim Rajonal, të mërkurën, me gjashtë vota për Projektligji për Komisionin e Pavarur të Mediave u miratua në lexim të parë dhe përcjellet për në seancë në Kuvend.

Në këtë mbledhje, zëvendëskryeministri Besnik Bislimi ka thënë se Projektligji për Komisionin e Pavarur të Mediave (KPM) e shfuqizon Ligjin aktual për KPM-në dhe se qëllimi i tij është fuqizimi i KPM-së.

“Përmes këtij Projektligji, Komisioni i Pavarur për Media merr përsipër përgjegjësinë e realizimit të procesit të kalimit në transmetim digjital, edhe kjo kërkesë e vazhdueshme e Bashkimit Evropian”, tha Bislimi.

Ai tha se tha se Projektligji është në përputhje me direktivat e BE-së.

“Direktiva e Bashkimit Evropian nënkupton një obligim që e njëjta të transpozohet nga të gjitha shtetet anëtare”, tha Bislimi.

Zëvendëskryeministri shtoi se transparenca në pronësinë e medias është e lidhur direkt me lirinë e shprehjes, bazën e funksionimit të shtetit demokratik.

“Meqe natyra e shërbimeve audio-vizuele ka ndikim mbi mënyrën e formimit të opinionit, shfrytëzuesit kanë interes legjitim që ta dinë kush është përgjegjës për përmbajtjen e shërbimeve që iu ofrohet. Andaj, në mënyrë që të fuqizohet liria e shprehjes dhe pluralizmi medial, duke iu shmangur në të njëjtën kohë konfliktit të interesit, është me rëndësi që qytetarët të kenë qasje në informacion lidhur me pronarët e mediave”, tha Bislimi.

Tea Blakaj, këshilltare ligjore në Qeveri, tha se në dëgjim publik ishin ftuar të gjitha palët e interesit (në draftin e Projektligjit). Ajo theksoi se kanë pasur edhe takime dhe janë dëgjuar të gjitha palët e interesit.

“Ky Projektligj i ka kaluar të gjitha format e konsultimit. Pra, që në vitin 2021 ka pasur dëgjim publik organizuar nga Zyra e Kryeministrit e pastaj përmes zyrës ligjore të Zyrës së Kryeministrit edhe tryeza të rrumbullakëta me të gjitha palët e interesit”, tha Blakaj, duke shtuar se e kanë transpozuar në tërësi direktivën.

Deputeti Isak Shabani nga Partia Demokratike e Kosovës tha se ky Projektligj lë shumë mundësi të keqinterpretimeve të mundshme brenda disa kompetencave që kufizojnë lirinë e mediave. Ai kërkoi që ky Projektligj të dërgohet për vlerësim në Komisionin e Venecias.

“Nëse kjo nuk dërgohet nga ana juaj, ne me siguri do të veprojmë që këtë Projektligj ta dërgojmë në Gjykatë Kushtetuese, ta marrim vlerësimin a është me të vërtetë i mirë, a ka me atë që shumë kompetenca po i jepen KPM-së dhe a po cenohet liria e mediave”, tha Shabani.

Por, Bislimi tha se kanë transpozuar direktivën e BE-së që promovon lirinë e medias.

“Ose nuk qëndron konstatimi se ne i kemi transpozuar direktivat ose që direktivat e BE-së në mënyrë aktive cungojnë lirinë e medias”, tha Bislimi, duke shtuar se është përafruar Projektligji me direktivën e BE-së.

Besnik Tahiri nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës tha se Projektligji ndryshon radikalisht mënyrën e rregullimit të mediave online. Ai tha se Projektligji në fjalë shihet si tendencë e Qeverisë për t’i kontrolluar mediat.

Tahiri kundërshtoi edhe rritjen e numrit të anëtarëve të KPM-së.

Në anën tjetër, Bislimi tha se Gjykata Kushtetuese nuk është Qeveri dhe se nuk bën të vishet me kompetenca që nuk i takojnë.

“Mediat online plasojnë kontent dhe qëllimi i kontentit është me gjeneru të hyra, bizneset gjenerojnë të hyra”, tha Bislimi lidhur me diskutimin pse mediat që operojnë si OJQ duhet të regjistrohen si kompani.

Tahiri dhe Bislimi gjatë kësaj mbledhje janë përplasur verbalisht teksa u diskutua rreth numrit të anëtarëve të KPM-së dhe çështje tjera.

Më 1 shkurt 2024, në një konferencë për medie, Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK) dhe Këshilli i Mediave të Shkruara të Kosovës (KMSHK), kanë kërkuar nga Qeveria e Kosovës që të tërhiqet nga ndryshimet e Projektligjit për Komisionin e Pavarur të Mediave (KPM), pasi cilësohet si tendencë për t’i kontrolluar dhe sulmuar mediet online. /BetimipërDrejtësi