Enzo Fernandez mund të largohet nga Chelsea, një vit pasi iu bashkua Bluve

Mesfushori argjentinas Enzo Fernandez po mendon të largohet nga Chelsea vetëm një vit pasi iu bashkua klubit për 121 milionë euro në një kontratë tetëvjeçare e gjysmë, raporton “FootballTransfers”, përcjell “Zëri”.

Lojtarët e Chelseat janë ankuar se stërvitja nga trajneri, Mauricio Pochettino dhe stafi i tij për elementët taktikë është e kufizuar, ndërsa të sapoardhurit kanë shprehur keqardhje për kontratat e tyre afatgjata. Megjithatë, Chelsea do të presë deri në fund të sezonit për të vlerësuar të ardhmen e Pochettinos si trajner.

“FootballTransfers” shton se Fernandezi është i hapur për t’u larguar nga gjigantët e Premierligës, pasi kishte ardhur nga Benfica në një marrëveshje rekord në janar.

Agjentët e 23-vjeçarit kanë filluar tashmë të eksplorojnë lëvizjet e mundshme për argjentinasin, i cili ka parë që vlera e tij e parashikuar e transferimit të bjerë në 55 milionë euro, nga 83 milionë euro gjatë muajve të tij të parë me klubin. /Zëri