OSHP-ja e KRPP-ja s’i përgjigjen Kuvendit, Komisioni ua jep edhe një javë afat

Mungesa e përfaqësueseve të Organit Shqyrtues të Prokurimit (OSHP) dhe Komisionit Rregullativ të Prokurimit Publik (KRPP) ka bërë të dështojë mbledhja e Komisionit për Buxhet, Punë dhe Transfere. E këta të fundit u kanë dhënë afat një javë për të marrë pjesë në mbledhjen për shqyrtim të planeve vjetore të këtyre dy institucioneve.

Të mërkurën, Komisioni nuk mbajti mbledhjen sepse kryetarja e Bordit të OSHP-së dhe përfaqësues të KRPP-së nuk morën pjesë.

Kryetari i Komisionit, Armend Muja, ka thënë se kryetarja e Bordit të OSHP-së ka njoftuar se gjendet jashtë vendit dhe e ka të pamundur pjesëmarrjen, ndërsa nga KRPP-ja kanë njoftuar se janë në takim zyrtar në Londër.

“Ne kemi marr njoftim nga OSHP-ja se kryetarja e OSHP-së nuk ka mundësi që të marrë pjesë së është jashtë vendit. Edhe nga KRPP-ja jemi njoftuar se nuk mund të marrin pjesë se janë në udhëtim jashtë vendit”, tha ai.

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Eman Rrahmani, e ka cilësuar shqetësuese mospjesëmarrjen e agjencive të pavarura në Komision. Ai tha se është detyrë e tyre që të paraqiten në raportim dhe se ata duhet që t’i përshtaten orarit të caktuar, pasi e kanë obligim shtetëror.

“Është shqetësues mosraportimi i tyre. Nuk është dëshirore raportimi i tyre në Komision. Nuk duhet me ju përshtat ne kohës tyre, ata duhet që të japin llogari. Dy javë me herët i kemi njoftuar nuk është asgjë me e rëndësishme se sa raportimi”, tha ai.

Muja e ka quajtur “kronike” mungesën e OSHP-së në komisione.

Ai ka njoftuar se e mërkura e ardhshme do të jetë dita finale, në të kundërtën “do të procedohet sipas ligjit dhe do t’i raportohet Kuvendit”. /EO