Nazarko: Rregullorja e dinarit do të duhej të ishte aplikuar më herët, por me një periudhë parapërgatitore

Opinionisti Mentor Nazarko deklaroi se qasja që ka sot Qeveria e Kosovës nuk po prodhon integrimin ndërkombëtar të Kosovës.

“Në vitin e fundit të qeverisjes ‘Biden’ nuk po shoh përparim real të Kosovës në rrugën e integrimit ndërkombëtar të saj, nuk kemi hyrje në UNESCO, në INTERPOL. Kemi kërcënim për sanksione, dhe nuk e kuptoj se çfarë prodhon kjo sjellje e Kosovës”, deklaroi ai duke iu referuar vendimit të fundit nga ana e Kosovës lidhur me ndalimin e dinarit serb.

“Mendoj se gjithë veprimet që ka ndërmarrë Kosova, ky veprim i shfuqizimit të dinarit do të duhej të ishte i pari, përpara targave, por do të duhej të kishte edhe një periudhë kalimtare për zbatimin e tij, sepse ky veprim në vetvete është një veprim me karakter të fortë. Mendoj që kjo rregullore e dinarit do të duhej të ishte aplikuar më herët, por me një periudhe parapërgatitore me mjete alternative që do të parashikonin hyrjen në fuqi të saj”, u shpreh Nazarko për Klan Kosova.