Kurti vizitoi për ngushëllime familjen e profesorit të ndjerë Kadri Metaj

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ishte sot për vizitë ngushëlluese te familja e profesorit të ndjerë, Kadri Metaj.

Kurti shprehu konsideratën e tij të lartë për kontributin e profesorit universitar Kadri Metaj në fushën e arsimit dhe të edukimit të brezave, si dhe la shënim në librin e kujtimeve.

“Prof. Kadri Metaj mësoi si të mendojnë shumë breza studentësh të cilët sot i kontribuojnë Kosovës dhe shoqërisë.

Me jetën e tij të intelektualit të angazhuar dhe profesorit të Filozofisë, në veprat e tij të shkruara që do të lexohen gjatë, e gjejmë në punët dhe rolin tonë si frymëzim që nuk shuhet. Me mall dhe nderim”, ka shkruar Kurti.

Kurti po ashtu kishte marrë pjesë edhe në ceremoninë e varrimit të profesorit të ndjerë.

Sot ai ishte i shoqëruar nga ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci, ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, dhe zëvendësministri i Drejtësisë, Vigan Qorrolli.

Ndtryshe kujtojmë se prof. Kadri Metaj doktoroi në vitin 1987 në Universitetin e Prishtinës kurse në vitin 1979 u zgjodh asistent në degën filozofi-sociologji. Nga viti 1999 deri në pensionim ishte profesor i rregullt në Departamentin e Filozofisë, ku ligjëroi lëndët nga fushat e filozofisë.

Ai po ashtu ligjëroi edhe në Universitetin e Evropës Juglindore në Tetovë, në Universitetin e Shkupit dhe në Universitetin e Tetovës.

Disa nga veprat e tij janë: “Teoria estetike e Gjergj Llukaçit” botuar më 1990, “Filozofia politike” më 2003 derisa përktheu edhe disa vepra nga fusha e filozofisë dhe estetikës. /Zëri