Kamberi: Pushteti e opozita në Serbi akuzojnë njëra-tjetrën për bashkëpunim me Kurtin

Deputeti shqiptar në Kuvendin e Serbisë, Shaip Kamberi, ka reaguar pas seancës së sotme në seancën konstituive.

Përmes një postimi në profilin e tij zyrtar në rrjetin social Facebook, ai tha se sikurse pozita, ashtu edhe opozita seancën e sotme e shndërruan në një teatër, shkruan Zeri.info.

Ai ka thënë se përveç verifikimit të mandateve për shkak të akuzave mes pozitës e opozitës, nuk u arrit të bëhet konstituimi i Kuvendit të Serbisë, pasi, siç u shpreh ai, të dyja palët akuzuan njëra-tjetrën për bashkëpunim me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.

Reagimi i plotë i Kamberit, pa ndërhyrje:

Teatër absurdi në parlamentin e Serbisë

Nën fishkëllimat e opozitës dështon përfundimi i seancës konstituive në Serbi.

Përveç verifikimit të mandateve nuk është arritur që të zgjidhet kreu i parlamentit, sepse opozita me protestat përmes fishkëllimave nuk ka lejuar vazhdimin e seancës. Nuk dihet kur do të jetë vazhdimi.

Gjithë kjo tollovi u karakterizua me akuzat e ndërsjella pozitë-opozitë se kush është “bashkëpunëtorë i Kurtit”.

Sidoqoftë, bashkë me Ahmedinin dhe Selmën nga SDA-ja do të vazhdojmë angazhimin tonë në një mjedis politik parlamentarë të kontaminuar. /Zëri