Politikanët gjermanë kritikojnë qasjen e SHBA-së dhe të BE-së ndaj Kosovës

Deputeti i Bundestagut, Boris Mijatoviq, ka reaguar ndaj qëndrimit të Bashkimit Evropian sa u përket vendimeve të fundit të Qeverisë së Kosovës, që ndalojnë qarkullimin e dinarit dhe mbylljen e komunave paralele serbe në gjithë Kosovën.

Mijatoviqi ka thënë se Beogradi po vazhdon të mbështesë strukturat ilegale edhe përkundër faktit se ka nënshkruar marrëveshje për tërheqjen e tyre.

Deputeti gjerman, i cili ka njoftuar se të hënën ka arritur në Kosovë, e ka cilësuar Bashkimin Evropian si të “pandjeshëm”, shkruan Express.

Ndaj këtij qëndrimi kritik të Mijatoviqit ndaj BE-së ka reaguar edhe politikani gjerman dhe ish-ministri Michael Roth. Politikani gjerman ka thënë se shumë kolegë nga Bundestagu dhe parlamentet e tjera në Evropë kanë “dyshime serioze” rreth strategjisë së BE-së dhe SHBA-së për të shtensionuar situatën në mes të Serbisë dhe Kosovës.

Rothi ka thënë se kjo strategji s’është as e balancuar, as e mençur.

“Është koha për pikën e kthesës”, ka shkruar Rothi.