Gjykata shtyn ekzekutimin e vendimit të Komunës së Prishtinës për këmbimin e pronave

Gjykata Themelore në Prishtinë ka njoftuar të martën se ka shtyrë ekzekutimin e vendimit të Kuvendit të Komunës së Prishtinës për këmbimin e pronës në “Prishtina e Re”, me pronat në Zllatar.

Sipas njoftimit, ky vendim është marrë pas kërkesës së Institutit të Kosovës për Drejtësi (IKD) për shtyrje të ekzekutimit të vendimit.

Bëhet e ditur se më 25 janar 2024, IKD-ja kishte parashtruar padi, me kërkesë për shtyrjen e ekzekutimit të vendimit ndaj vendimit të Kuvendit të Komunës së Prishtinës.

“Gjykata gjeti se me propozimin për shtyrjen e ekzekutimit të vendimit, IKD-ja ka ofruar argumente të besueshme se në rastin konkret janë përmbushur në tërësi dhe në mënyrë kumulative të gjitha kushtet për shtyrjen e ekzekutimit të vendimit të Kuvendit Komunal të Komunës së Prishtinës, ashtu që ekzekutimi i këtij vendimi do të sillte dëm vështirë të riparueshëm”, thuhet në njoftimin e Gjykatës, raporton Zeri.info.

Ndërkohë, është kërkuar që Gjykata të vendosë përfundimisht lidhur me ligjshmërinë e vendimit të kontestuar përkitazi me padinë e IKD-së.

Ndryshe, më 20 janar 2024, IKD-ja kishte reaguar ndaj vendimit të Kuvendit të Komunës së Prishtinës, duke e cilësuar këtë vendim si të kundërligjshëm. /Zëri