Tjetër rast i rëndë në Tiranë: Dyshohet se një 34-vjeçar e mbyllte gruan në banesë, e rrihte dhe e ruante me kamera

Një tjetër rast i rëndë ka ndodhur në Tiranë, ku një tjetër grua izolohej brenda në banesë nga bashkëshorti i saj.

Gruaja dyshohet se mbyllej brenda katër mureve të shtëpisë dhe mbikëqyrej nga burri me kamera.

Madje ai ushtronte ndaj saj edhe dhunë fizike.

34-vjeçari A.M. kishte instaluar tri kamera në dhoma të ndryshme të banesës dhe i përdorte për të vëzhguar lëvizjet e gruas së tij sa herë që largohej nga shtëpia dhe atë e kyçte brenda. 34-vjeçari dyshohet se vuan nga probleme të shëndetit mendor.

Report Tv mëson se 34-vjeçari ishte kthyer nga Gjermania prej pak kohësh. Pas kthimit ai kishte shfaqur shenja dhune ku nisi të rrihte bashkëshorten e tij, e izoloi dhe e monitoronte me kamera. Ai është arrestuar nga policia ditën e sotme, 6 shkurt.

“Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 3, pas informacionit të marrë se një shtetas kishte ushtruar dhunë ndaj bashkëshortes së tij, si dhe e mbante të mbyllur atë, në monitorimin e kamerave që i kishte instaluar brenda në banesë, menjëherë kanë organizuar punën për dokumentimin e plotë ligjor të rastit dhe vënien e autorit të dyshuar, përpara përgjegjësisë penale.

Si rezultat, falë reagimit në kohë të shërbimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 3 u arrestua shtetasi A.M., 34 vjeç, banues në Kodër Institut. Nga veprimet hetimore të kryera ka rezultuar se 34-vjeçari ka ushtruar dhunë ndaj bashkëshortes së tij, të cilën e mbante të mbyllur në banesën e tyre ku kishte montuar kamera për të monitoruar lëvizjet e saj”, njofton policia.

Ky është rasti i dytë i izolimit të gruas në banesë që ndodh brenda pak kohësh në Tiranë. Më 26 janar një tjetër rast u zbulua në Selitë, ku 35-vjeçari Jetnor Zh., mbante të mbyllur gruan, nënën dhe fëmijët, si edhe i vëzhgonte me kamera e ushtronte dhunë fizike ndaj tyre.