Detyroi viktimën për marrëdhënie seksuale, kërkohet paraburgimi i kaçanikasit

Prokuroria Themelore në Ferizaj, Departamenti i Krimeve të Rënda, njofton se ka kërkuar nga Gjykata Themelore në Ferizaj caktimin e masës së paraburgimit në afat prej 30 ditësh ndaj të dyshuarit me iniciale L.M.

Lidhur me këtë rast nga Prokuroria Themelore e Ferizajt kanë thënë se i dyshuari dhe viktima janë të moshës madhore.

Kërkesa për caktimin e paraburgimit ndaj të dyshuarit L.M. bëhet për shkak të dyshimit të bazuar se i njëjti më 04 shkurt 2024, afër fshatit Soponicë - Komuna e Kaçanikut, me përdorimin e forcës ka detyruar të dëmtuarën për të kryer akt seksual pa pëlqimin e saj, me të cilën do të kryente veprën penale “Dhunimi”, nga Neni 227, paragrafi 1, lidhur me paragrafin 4 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

I pandehuri me vendim të prokurorit të Shtetit gjendet nën masën e ndalimit 48-orësh për veprën penale të lartcekur.