Shtyhet seanca fillestare ndaj anëtarëve të LVV-së për gazin në Kuvend

Për shkak se deputetja Drita Millaku gjendet në Slloveni për arsye shëndetësore, është shtyrë seanca e së martës në Gjykatën Themelore në Prishtinë, në rastin ku e njëjta bashkë me ministrin e Punëve të Brendshme Xhelal Sveçla dhe deputetët e Vetëvendosjes Fitore Pacolli-Dalipi dhe Salih Zyba po akuzohen se në mars të vitit 2018 kishin ndezur gaz lotsjellës, me ç’rast kishin pamundësuar mbajtjen e seancës plenare në Kuvendin e Kosovës.

Ministri Sveçla dhe tre deputetët nga radhët e LVV-së, Millaku, Zyba dhe Pacolli-Dalipi po akuzohen se më 21 mars 2018, rreth orës 12:10 e deri në orën 15:40, kanë ndezur disa bombola të gazit lotsjellës, të cilat i kishin hedhur brenda sallës së Kuvendit të Kosovës, ku po mbahej seanca plenare e si rrjedhojë e kësaj, të gjithë deputetët ishin detyruar ta lironin sallën e Kuvendit.

Lidhur me mungesën e të akuzuarës Millaku, gjykatësi i rastit Sabit Sadikaj tha se e akuzuara paraprakisht e ka njoftuar gjykatën se është në Slloveni për arsye shëndetësore dhe nuk mund të paraqitet në seancë.

Në këto rrethana, seanca e sotme u shty.

Të pranishëm në seancë ishin ministri Sveçla dhe deputetët Pacolli-Dalipi dhe Zyba, si dhe prokurori Eset Rama.

Ndryshe, në tetor të vitit 2021 kishte raportuar ekskluzivisht për aktakuzën e ngritur ndaj ministrit Sveçla dhe deputetëve Millaku, Zyba dhe Pacolli-Rexhepi.

Sipas aktakuzës së siguruar nga “Betimi për Drejtësi”, e cila rezulton të jetë ngritur më 29 korrik 2019, Sveçla, Millaku, Zyba dhe Pacolli-Dalipi po akuzohen se më 21 mars 2018, rreth orës 12:10 e deri në orën 15:40, kanë ndezur disa bombola të gazit lotsjellës, të cilat i kishin hedhur brenda sallës së Kuvendit të Kosovës, ku po mbahej seanca plenare.

Aty thuhet se si rrjedhojë e kësaj, të gjithë deputetët ishin detyruar ta lironin sallën e Kuvendit, me ç’rast kanë pamundësuar vazhdimin e seancës.

Me këtë, secili veç e veç akuzohen se kanë kryer veprën penale “Përdorimi i armës ose mjetit të rrezikshëm”, nga Neni 375, paragrafi 1 të Kodit Penal, kryerësi i së cilës dënohet me burgim prej një deri në tetë vjet.

Kurse, sipas dispozitivit të dytë, thuhet se secili veç e veç kanë kryer veprën penale “Pengimi i personit zyrtar në kryerjen e detyrave zyrtare”, nga Neni 409, paragrafi 1 të Kodit Penal, pasi kanë penguar deputetët e Kuvendit të Kosovës në kryerjen e detyrave zyrtare. Kryerësi i kësaj vepre dënohet me burgim prej tre muaj deri në tre vjet. /BetimipërDrejtësi