Bislimi kërkon sërish heqjen e masave të BE-së ndaj Kosovës

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, ka publikuar letrën që ia ka dërguar përfaqësuesit të posaçëm të BE-së për dialogun Kosovë – Serbi, Miroslav Lajçak.

Ai në këtë dokument, të cilin kryeministri Albin Kurti ua dorëzoi sot edhe ambasadorëve të akredituar në Kosovë, e të cilin e publikoi RTKlive, ka renditur përpjekjet që ka bërë Kosova karshi përmbushjes së kërkesave të BE-së për heqjen e masave.

Bislimi ka përsëritur thirrjen që këto masa të largohen sa më shpejt, pasi kjo do të ndihmonte në përparimin e përshpejtuar të reformave.

“Në një letër dërguar emisarit të BE-së, Lajçak, kam renditur përpjekjet që ka bërë Kosova ndaj kërkesave për heqjen e masave. Një largim i menjëhershëm i masave do të ndihmonte t’i mobilizonim përpjekjet për përparimin e përshpejtuar të reformave dhe të krijonim një mjedis për forcimin e bashkëpunimit rajonal dhe integrimin më të shpejtë të gjashtëshes së Ballkanit Perëndimor”, ka shkruar Bislimi në platformën “X".