Haziri paralajmëron masa ndëshkuese nga SHBA-ja pas veprimeve të fundit të Kosovës

Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri ka paralajmëruar masa ndëshkuese nga SHBA-ja për Kosovën pas vendimit të BQK-së si dhe aksioneve për mbylljen e strukturave paralele serbe.

Ai ka thënë se masat do të rëndohen e kjo po vjen sipas mentalitetit që ka LVV-ja e që sipas tij po dëmton partneritetin me BE-në dhe SHBA-në, raporton Zeri.info.

“Siguria e qytetarit të Kosoves është në pyetje. Janë zgjuar e kanë filluar ta kuptojnë se duhet ndalet tash sa nuk eshte vonë. Pasiguria e qytetarit përcillet edhe me pasiguri juridike të komuniteteve etnike e pakicave nacionale për të cilat Kosova ka bërë shumë, por kjo qeveri po rrezikon të gjithën.

Për toke imazhin, qeverisjen, partneritetin e besimin e miqve. Republika e Kosovës, vend i dashur për popullin e saj dhe burim stabilitetiti për fqinjtë. Ku e lamë e ku na erdhi!”, thuhet në reagimin e tij.

Haziri ka akuzuar partinë në pushtet se po merret me të kaluarën dhe se nuk po shikon për drejt të ardhmes.

“Nuk shohin të ardhmen, por të kaluaren! Letërnjoftimi, patent-shoferi, vula doganore, energjia, bojkoti, protestat, bllokimi i rrugëve, dhuna në eskalim, sulmi terrorist, e Qeveria në sanksione e me masa ndëshkuese. Popullit të Kosovës i janë kufizuar të mirat në 300 milionë euro projekte dhe është përjashtuar nga 500 milionë të tjera për këtë vit!

Kujt po ia bën argatin trojka e VV-së dhe në mulli të kujt po çon ujë kjo logjikë e mbrapshtë?!”, shkroi ai në Facebook. /Zëri