Haradinaj thotë se Kosova duhet ta synojë fitoren e të gjitha fitoreve, anëtarësimin në NATO

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj ka thënë se synimi kryesor i vendit duhet të jetë anëtarësimi në NATO.

Ai ka thënë se këtë shancë Kosova e ka në 75-vjetorin e NATO-s, që pritet të mbahet këtë korrik, raporton Zeri.info.

Haradinaj theksoi se Kosova s’duhet të kënaqet me fitore të vogla, por që ta synoj fitoren e madhe, pra anëtarësimin në NATO.

“Aleanca më e fuqishme ushtarake e globit - NATO, në vitin 1999, në jubileun e saj të 50-të ishte shndërruar në shpëtimtar të një vendi e të një populli.

Tash kur po paralajmërohet samiti i madh historik në korrik, që përkon me 75-vjetorin e NATO-s, e ku po paralajmërohet se në këtë samit, jo vetëm se do të shënohen 75 vjet histori të kësaj Aleance, por fokusi do të jetë edhe në 75 vitet e ardhshme të saj. Kosova edhe një herë, më shumë se kurrë, ka nevojë për shpëtimtarin e saj që të bëhet anëtar i kësaj Aleance”, shkroi ai në Facebook. /Zëri