EULEX-i e zhvendos selinë e tij nga Fushë-Kosova në Prishtinë

Misioni i Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX) e ka përfunduar sot zhvendosjen e Selisë së tij në Zonën industriale në Prishtinë.

Selia i re e EULEX-it do të vendoset në katin e pestë të ndërtesës së “Capital Gate”, ngjitur me Kompleksin ekzistues të EULEX-it për operacione dhe mbështetje, ku ndodhen elementet kryesore logjistike dhe operacionale të Misionit.

“Kjo zhvendosje po i forcon sinergjitë ekzistuese duke sjellë kështu përfitime të dukshme operacionale, logjistike dhe financiare. Për më tepër, ajo do të kontribuojë në zvogëlimin e gjurmës mjedisore të EULEX-it, pasi 60 për qind e nevojave totale të energjisë së ndërtesës së ‘Capital Gate’ plotësohen nga gjenerimi prej paneleve diellore. Numrat e telefonit dhe adresat e postës elektronike të EULEX-it mbeten të pandryshuara”, thuhet në njoftim.

Misioni vazhdon të jetë i përkushtuar për zbatimin e mandatit të tij: t’i mbështesë institucionet e përzgjedhura të sundimit të ligjit në Kosovë në rrugën e tyre drejt rritjes së efektivitetit, qëndrueshmërisë, shumetnicitetit dhe llogaridhënies, pa ndërhyrje politike dhe në përputhje me standardet ndërkombëtare të drejtave të njeriut dhe praktikave më të mirat evropiane.

Ndërtesa ku ka qenë e vendosur deri tani selia e EULEX-it (e njohur si Farmed) do t'i dorëzohet pronarit të vet.