Shqipëria, linjë kabllore direkte nënujore me Egjiptin

Në Tiranë u nënshkrua sot marrëveshja e mirëkuptimit me kompaninë 4iG, për ndërtimin e një linje kabllore direkte nënujore midis Shqipërisë dhe Egjiptit.

Marrëveshja u nënshkrua nga zëvendësministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Enkelejda Muçaj.

Zëvendëskryeministrja, njëherësh ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, deklaroi sot se ky është një tjetër projekt strategjik e inovativ që e kthen Shqipërinë në një nyje të ndërlidhjes ndërkontinentale dhe e vendos Shqipërinë në një rankim tjetër të digjitalizimit.

“Si sistem i parë që lidh dy vendet, rruga e planifikuar e linjave nënujore në Mesdhe do të jetë unike duke shtuar diversitetin e rrugëve digjitale, që lidhin Mesdheun në mënyrë tradicionale që janë ato që lidhin Egjiptin me Francën dhe Italinë duke dhënë kështu një mundësi të tretë”, tha Balluku.

“Në anën e Egjiptit do të ofrohet qasje në shumë kabuj nënujor të Juglindjes, përmes Detit të Kuq dhe Azisë dhe Afrikës, të cilat i shtohen 10 rrugëve tokësore trans-egjiptiane, që bashkojnë segmentin lidhës të Mesdheut dhe opsionet e tjera të zgjatura të Detit Mesdhe”, u shpreh zëvendëskryeministrja Balluku.