Dhunimi i një gruaje në Kaçanik, Prokuroria pritet të kërkojë paraburgim për të dyshuarin

Një person është arrestuar të dielën në Kaçanik, për shkak të dyshimit se ka kryer veprën penale “Dhunim”.

Sipas Policisë, i dyshuari thuhet se e ka detyruar viktimën të kryejë marrëdhënie seksuale pa dëshirën e saj.

Lidhur me këtë rast nga Prokuroria Themelore e Ferizajt kanë thënë se i dyshuari dhe viktima janë të moshës madhore.

“Viktima është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për ekzaminim, ndërsa i dyshuari dhe viktima në këtë rast janë të moshës madhore”, ka deklaruar zëdhënësja e kësaj prokurorie, Vjosa Baftiu.

Ajo më tej në një përgjigje me shkrim ka bërë të ditur se ndaj të dyshuarit pritet të bëhet kërkesa edhe për caktimin e masës së paraburgimit.

“Referuar pyetjeve të parashtruara nga ana juaj, ju njoftojmë se për rastin në fjalë prokurori i Shtetit ka lëshuar aktvendim mbi ndalim në kohëzgjatje prej 48 orësh ndaj një (1) personi, për shkak të dyshimit të veprës penale ‘Dhunimi’, nga Neni 227 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës. Prokuroria Themelore në Ferizaj, brenda afatit ligjor, ndaj të dyshuarit do të parashtrojë kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit për shkak të dyshimit të veprës penale së lartcekur”, është shprehur Baftiu për Telegrafin.