Analistët: Reagimet e SHBA-së dhe BE-së, presion ndaj shtetit të Kosovës
Brenda pak ditësh u zhvilluan disa aksione.
E nga këto, Qeveria e Kosovës mbylli institucionet e administruara nga Serbia, në Dragash, Pejë, Istog e Klinë.
Ndërsa në kryeqytet u bastis një OJQ serbe me dyshimin me veprimtari të jashtëligjshme.
E në kufi u sekuestrua një veturë që transportonte dinarë nga Serbia në Kosovë, pasi hyri në fuqi vendimi i Bankës Qendrore të Kosovës, që në treg e vetmja monedhe qarkulluese të jetë euro.
Për këto veprime, ndërkombëtarët u shprehën të shqetësuar.
Madje ata bënë thirrje që këto çështje të trajtohen përmes dialogut.
Mirëpo sipas ish-ministres për Punë të Jashtme, Meliza Haradinaj-Stublla, për të gjitha këto ka një marrëveshje që është nënshkruar.
“Është mjaft paradoksale që të shohim BE të kërkojë përgjigjet dhe të kërkojë adresimin e këtyre çështjeve në dialog, ndërsa këto çështje janë trajtuar në dialog dhe kemi marrëveshje për secilën nga to, pikërisht përmes dialogut të fascilituar nga BE”, ka deklaruar ajo.
Haradinaj-Stublla thekson se gishti i fajësimit për këtë situatë duket të kthehet kah Bashkimi Evropian.
“Zgjidhjet dhe përgjigjet duhet të jenë dhe fajësimet tek sirtarët e BE-së që nuk kanë një mekanizëm të mbikëqyrës për zbatimin e marrëveshjeve, e jo te Kosova që po dëshiron të avancojë rendin e ligjin dhe të shtrijë sovranitetin e saj në gjithë territorin e saj”, tha Haradinaj-Stublla për Teve1.
Ndërsa analisti Tomorr Avdiaj, reagimet e ndërkombëtarëve i cilëson presion ndaj shtetit të Kosovës.
“Është një reagim i cili shkon i një lloj presioni që i bëhet institucioneve tona, qeverisë sonë dhe shtetit tonë për të marrë vendime të cilat shkojnë kundër ligjit dhe anti-kushtetuese”, tha ai.
Sipas Avdiajt, presioni që po shkaktohet ndaj Kosovës është për të arritur një qëllim të dytë, atë të Asociacionit.
Megjithatë sipas tij, Kosova e gëzon një lloj mbështetjeje, e cila ende nuk është bërë publike, atë të faktorit britanik.