Hapen ofertat e ankandit të parë solar foltovoltaik prej 100 MË, ofertojnë gjashtë kompani

Ministria e Ekonomisë ka hapur ofertat e ankandit të parë solar foltovoltaik prej 100 megavatësh.

Aty janë bërë publik edhe emrat e gjashtë kompanive dhe konzorciumeve që kanë dorëzuar ofertat, e të cilat janë:

Konzorciumi “Çalik-Limak” nga Turqia,
Kompania “Notus Energy Kosovo” nga Gjermania, përfaqësia në Kosovë,
Kompania “Akuo Energy SAS” nga Franca,
Kompania “Elswedy Electric” nga Egjipti,
Konzorciumi “Guris Insaat Muhendishik” nga Turqia, si dhe
Konzorciumi “Orllati” nga Zvicra, përfaqësia në Kosovë.

Ankandi është mbyllur më 31 janar 2024 në ora 14:00, ku janë pranuar gjashtë oferta, ndërsa për tri ditë, deri sot në ora 14:00, ishte afati për pranimin e ofertave të mundshme përmes postës.

Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, sqaroi se gjatë procesit, përmes përgjigjeve në më shumë se 10 raunde të sqarimeve, janë siguruar të udhëheqin një proces të drejtë e të hapur ku të gjitha palët janë të mirinformuara.

Rizvanolli njoftoi se ky është vetëm projekti i parë në vazhdën e projekteve në dy viteve në vijim ku planifikohet të zhvillohen procedura konkurruese për ndërtimin e kapaciteteve të burimeve të ripërtërishme prej 950 megavatë, të cilat kapin vlerën prej 1.2 miliardë euro.

“Me po të njëjtin zell do të zhvillojmë edhe projektet tjera konkurruese pjesë e kësaj pako, duke filluar me ankandin 150 megavatësh të erës të cilin do ta lansojmë këtë vit”, tha ajo.