Shqetësimet e ndërkombëtarëve për ndalimin e dinarit serb, BQK-ja del me 20 sqarime për Rregulloren e re

Banka Qendrore e Kosovës (BQK) ka dhënë 20 sqarime në lidhje me Rregulloren e re që hyri në fuqi më 1 shkurt, dhe e cila parasheh përdorimin e euros për pagesat me para të gatshme, duke ndaluar përdorimin e dinarit serb, që përdoret nga serbët që jetojnë në Kosovë.

Departamenti Amerikan i Shtetit, Bashkimi Evropian e ambasadat e QUINT-it në Kosovë kanë kritikuar Qeverinë e Kosovës në lidhje me këtë Rregullore, duke thënë se kjo do të ketë ndikim tek serbët lokalë që marrin përkrahje financiare nga Serbia. Ata kanë kërkuar që të shtyhet një vendim i tillë dhe të gjendet një zgjidhje praktike në Bruksel në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi.

Megjithatë pavarësisht kërkesës së ndërkombëtarëve, BQK-ja ka vendosur të ecë përpara me implementim, megjithatë të shtunën ka publikuar disa sqarime duke thënë ndër të tjera se qëllimi i kësaj Rregullore është të avancojë dhe përcaktojë standardet rregullative për realizimin profesional të detyrave të institucioneve financiare në lëmin e operacioneve me para të gatshme.

Po ashtu, ka sqaruar se të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës mund të pranojnë ndihmat e tyre financiare, pensionet apo pagat nga Serbia në llogaritë e tyre bankare në euro përmes bankave që operojnë në Kosovë e që janë të licencuara nga BQK-ja.Banka Qendrore në këtë artikull sqarues ka thënë se pasi t’i pranojnë këto të ardhura në euro, secilit qytetar që mund t’i nevojiten në dinarë atëherë mund t’i kthejë ato në këmbimore të licencuar.

Rregullorja është publikuar në tri gjuhë, shqip, serbisht dhe në gjuhën angleze.