Prishtina e eliminon Gjilanin pas penalltive, kalon në çerekfinale të Kupës së Kosovës

Prishtina është çerekfinalistja e radhës në Kupën e Kosovës në futboll.

Kryeqytetasit eliminuan Gjilanin në 1/8 e finales pas ekzekutimit të penalltive. Koha e rregullt dhe vazhdimet u mbyllën pa gola të shënuar.

Prishtina mbeti me një lojtar më pak në fushë prej minutës së 18-të, kur Kushtrim Gashi u ndëshkua me karton të kuq.

Gjilani më pas pati raste mjaft të mira shënimi, por nuk arriti ta gjente golin.

E në penallti, Prishtina fitoi lehtësisht 4:1, për t’u kualifikuar tutje.

E kalimin në çerekfinale e siguruan sot edhe Malisheva, Suhareka dhe Vjosa. Malishevasit e mposhtën në udhëtim Feronikelin 74 me rezultat 1:3.

Me rezultat të njëjtë fitore shënoi edhe Suhareka, që e mposhti si vendas Prishtinën e Re. Vjosa në “Sami Kelmendi” në Lipjan triumfoi 4:1 ndaj 2 Korrikut.