Sulmi kibernetik, INSTAT shtyn publikimin e statistikave zyrtare

Instituti i Statistikave (INSTAT) ka njoftuar shtyrjen e publikimit të statistikave zyrtare, deri në një njoftim të dytë, si pasojë e sulmit kibernetik të 31 janarit. Ky sulm kibernetik ka prekur disa nga sistemet e INSTAT, me qëllimin dëmtimin e të dhënave. INSTAT siguron edhe njëherë se të dhënat e Censit nuk janë prekur.

“Instituti i Statistikave (INSTAT) njofton publikun se për shkak të një sulmi kibernetik që preku disa nga sistemet e tij më 31 janar 2024 do të shtyjë publikimin e statistikave zyrtare deri në një njoftim të dytë. Sulmi kibernetik i cili synoi të dëmtojë të dhënat e INSTAT ka bërë që shërbimet e internetit të faqes zyrtare dhe emailit të jenë ndërprerë. INSTAT siguron publikun se të dhënat e Censit 2023 nuk janë objekt i këtij sulmi”, thuhet në njoftim.

INSTAT bën me dije se po punohet për të rikthyer shërbimet e tij sa më shpejt dhe se do të njoftojë datat e tjera të publikimit të të dhënave zyrtare.

“INSTAT i kërkon ndjesë publikut për këtë pamundësi ofrimi shërbimesh momental që shkaktoi ky incident dhe siguron publikun se po punon intensivisht për të rikthyer shërbimet e tij sa më shpejt të jetë e mundur. INSTAT do të njoftojë datat e reja të publikimit dhe falënderon përdoruesit, partnerët dhe veçanërisht ekspertët e Autoritetit Kombëtar për Certifikimin Elektronik dhe Sigurinë Kibernetike (AKCESK) për ndihmën dhe mbështetjen e tyre të vazhdueshme gjatë kësaj periudhe deri në funksionimin e plotë të gjithë sistemeve të Teknologjisë së Informacionit të INSTAT. INSTAT mbetet i angazhuar për të siguruar statistika zyrtare me cilësi të lartë dhe të besueshme për përdoruesit”, përfundon njoftimi../rtk