Haradinaj takon shqiptarët e Amerikës, kërkon angazhimin e tyre për anëtarësim të Kosovës në NATO

Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, në fund të vizitës së tij në ShBA ka takuar Rrustem Gecajn, i cili tha se i bashkoi për dark me shumë shqiptarë të tjerë që ishin shtyllë e madhe e kauzës kombëtare për gjysmë shekulli në Amerikë.

Haradinaj tha se për të gjithë, komuniteti shqiptaro-amerikan kanë qenë bartësit dhe shtytësit kryesorë të kauzave për të drejtën shqiptare.

“U ndjeva mirë pranë tyre, teksa zhvilluam një diskutim të sinqertë dhe të hapur për zhvillimet në Kosovë dhe për çështjet me interes kombëtar”.

“Xhim Xhema, Rrustem Gecaj, Harry Bajraktari, Elmi Berisha, Mark Gjonaj, Martin Shkreli, Gani Shehu dhe gjithë vëllezërit e tjerë që ishin prezent, kanë dhënë kontribut të pamohueshëm në aspiratën tonë për liri, pavarësi e forcim të shtetësisë, duke shërbyer si shembull i shkëlqyer se si punohet për kombin nga çdo cep i botës”, shkroi Haradinaj.

Më tej, kreu i AAK-së bëri të ditur se u ka kërkuar atyre që në rrethanat aktuale në të cilat po kalon Kosova, të angazhohen edhe më shumë që të jetësohet dialogu strategjik me ShBA-në e mbi të gjitha anëtarësimin e Kosovës në NATO.

“Ndërsa e falënderova Ambasadorin e Shqipërisë në OKB, z. Ferid Hoxha për punën e tij të jashtëzakonshme. Ju thashë me bindje të plotë se angazhimi i tyre për çështjen kombëtare do të vlerësohet ndër breza dhe se kontributi i tyre është dhe do të mbetet pjesë e historisë sonë”, shkroi ai.