Paralajmërimet për pasoja në veri, Qeveria: Nëse dikush ka informacione për përshkallëzim, duhet ta ndajë me institucionet e sigurisë

“Nëse dikush ka informacione apo ndonjë indikacion për përshkallëzim, duhet që ta ndajë me institucionet e sigurisë”.

Kështu ka bërë thirrje zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu, nëpërmjet një përgjigjeje të dhënë për TV Dukagjinin. Kjo vjen pas deklarimeve të ambasadorit amerikan, Jeff Hovenier, se “mund të ketë pasoja që nuk janë menduar plotësisht“.

Ndërsa, zëdhënësi i qeverisë ka pyetur se “kush do ta përshkallëzonte situatën?”.

Kryeziu tutje ka thënë se qeveria dhe politika nuk përzihen në vendimet e Bankës Qendrore të Kosovës, sepse ky institucion është i pavarur dhe askush nga politika nuk mund të përzihet, pasi, sipas tij, kjo do t’i humbte Kosovës karakterin e shtetit demokratik.

“ Jemi të interesuar dhe të angazhuar që gjithçka të shkojë mirë, qetë dhe në siguri. Çdo problem i imagjinuar apo real do ta adresojmë me shpejtësi. Do të mbajmë komunikim të rregullt me partnerë tanë. Do të ketë komunikim të vazhdueshëm me qytetarët nga radhët e komunitetet joshumicë serb”, ka theksuar Kryeziu.