Kontrabandoi barna nga Serbia, kërkohet paraburgim për zyrtarin e ATK-së

Prokuroria Themelore në Mitrovicë ka paraqitur kërkesë për caktimin e paraburgimit për të pandehurin L.P., zyrtar i Administratës Tatimore të Kosovës, pasi ekziston dyshimi i bazuar se ka kryer veprat penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” dhe “Kontrabandimi me mallra".

Sipas Prokurorisë, më 1 shkurt 2024, në rrugën magjistrale Leposaviq – Mitrovicë, përkatësisht në fshatin Bistricë, i pandehuri L.P. është ndaluar nga policia në pikë kontroll, i njëjti ka qenë duke e drejtuar veturën zyrtare të Administratës Tatimore të Kosovës.

Gjatë kontrollit në bagazh janë gjetur dy çanta me lloje të ndryshme të barnave me banderola të Serbisë, pa poseduar asnjë dokument përcjellës.

Seanca dëgjimore për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurit pritet të mbahet pranë Gjykatës Themelore në Mitrovicë. /Zëri