Zbulohet arsyeja përse Serbia po insiston që të mos hiqet dinari nga Kosova?

Përdorimin e dinarit dhe kërkesën për të mos u ndaluar si valutë e ngriti presidenti i Serbisë Aleksandër Vuçiq. Ai një ditë më parë ka takuar ambasadorët e QUINT-it në Beograd para të cilëve ka shprehur shqetësimet për ndalimin e dinarit. Pikërisht në këtë takim me ambasadorët i pranishëm ishte edhe drejtori i Bankës Postare Kursimore të Serbisë, Bojan Kekiq.  Ky i fundit mësohet se është mik i afërt i Vuçiqit por edhe kreut të terroristëve të Banjskës, Millan Radoiçiq.

Presidenti i Serbisë Aleksandër Vuçiq, një ditë më parë ka takuar ambasadorët e QUINT-it në Beograd. Vendimi i Bankës Qendrore të Kosovës për ndalimin e qarkullimit të dinarit serb ka bërë që Vuçiqi të diskutojë për këtë çështje me këta ambasador.

Në këtë takim nga pala serbe ishte i pranishëm edhe drejtori i Bankës Postare Kursimore të Serbisë, Bojan Kekiq.

Kekiq mësohet se është mik i përbashkët i presidentit të Serbisë Aleksandër Vuçiq dhe kryekriminelit i cili udhëhoqi sulmin terroristit të 24 shtatorit në Banjskë, Millan Radoiçiq.

Siç shihet nga pamjet e takimit të djeshëm në presidencën e Serbisë, Bojan Kekiq, është i ulur menjëherë pranë drejtorit të së ashtuquajturës Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë Petar Petkoviq.

Përveç kësaj, siç merr vesh Radiotelevizioni i Kosovës, Kekiq ka arritur marrëveshje me Milan Radoiçiqin për lehtësimin e marrjes së kredive për pjesëtarët e organizatave të shpallura terroriste “Mbrojtja Civile” dhe “Brigada e Veriut”.

Më tej burimi i RTK-së thekson se Radoiçiq u kishte thënë pjesëtarëve të organizatave terroriste se ka biseduar me Drejtorin e Bankës Postare Kursimore, Bojan Kekiqin, në mënyrë që ata të jenë pjesë e sistemit bankar të Serbisë, si për pranimin e pagave, ashtu edhe për marrjen e kredive.

Madje nga fotot që ka siguruar RTK, duket se Kekiq është mik shumë i afërt me Millan Radoiçiqin.

Kjo konsiderohet edhe si një dëshmi që Serbia ka lidhje direkte jo vetëm me sulmin terrorist në Banjskë, më 24 shtator, por edhe në mbështetën dhe financimin e tij.