“Qendra për Paqe dhe Tolerancë”: S’kemi të bëjmë me “ambulancën” që u mbyll

Të mërkurën në qendër të Prishtinës, krejtësisht afër stacionit Policor - Qendra, është bastisur një organizatë e cila, sipas autoriteteve të vendit, dyshohet se po kryente aktivitete ilegale e të cilat paraqesin rrezik për sigurinë e vendit.

Me vite të tëra në mes të tri institucioneve boshte të sigurisë e drejtësisë së Republikës së Kosovës, po ushtronte veprimtari të dyshimtë një organizatë joqeveritare, ngjitur me objektin e Stacionit Policor Qendra.

Nga bastisja e mbrëmshme janë sekuestruar prova materiale, për të cilat Prokuroria Themelore e Prishtinës, tha se do të përdoren gjatë procedurës penale.

Ajo bëri me dije të enjten se ka hapur rast të veprës penale “Ushtrimi i kundërligjshëm i veprimtarisë mjekësore ose farmaceutike”, ndaj organizatës joqeveritare që operonte në një aneks me stacionin policor “Qendra”, dhe se pas intervistimit të të dyshuarve, ata janë liruar në procedurë të rregullt.

“Pas intervistimit të të dyshuarve, ata janë liruar në procedurë të rregullt, derisa është hapur rast penal në drejtim të veprës penale “Ushtrimi i kundërligjshëm i veprimtarisë mjekësore ose farmaceutike”, sipas KPRK-së. Gjithashtu, ju njoftojmë se nga bastisja e realizuar, me urdhër të Prokurorit të Shtetit janë sekuestruar prova materiale të cilat do të shërbejnë në procedurën penale, ndërsa me vendim të Inspektoratit Shëndetësor është mbyllur objekti në fjalë”.

Ministri Xhelal Sveçla, një ditë më parë bëri të ditur se nga MPB kanë konfirmuar se organizata “Qendra për Paqe dhe Tolerancë” ka vepruar në kundërshtim me “legjislacionin në fuqi mbi funksionimin e OJQ-ve”.

“Prapa kamerës drejtuesit e Qendrës për Paqe dhe Tolerancë i kanë thënë RTK-së se ata janë zhvendosur në këtë objekt që po e shihni prapa meje në vitin 2012 dhe se nuk kanë të bëjnë asgjë me qendrën për komunitete, të cilës MPB ia vuri drurin dje për operim të kundërligjshëm”.

Megjithëse thonë se s’kanë të bëjnë asgjë me OJQ-në që ofronte shërbime shëndetësore jashtëligjshëm në Prishtinë, kjo qendër përmes një komunikate, ka mbrojtur punën e vet dhe e ka cilësuar performancë të papranueshme aksionin e mbrëmshëm të Policisë së Kosovës.

Në faqen e saj zyrtare në internet, Qendra për Paqe dhe Tolerancë thotë se që nga viti 2001 drejton një Qendër Komunitare të Pakicave në Prishtinë për të moshuarit. Aty thuhet se qendra përdoret nga qytetarët e Prishtinës, nga komuniteti serb si një lloj qendre për ofrimin e shërbimeve bazë mjekësore.

RTK-ja ka pyetur departamentin e organizatave joqeveritare të Ministrisë së Punëve të Brendshme, për numrin e organizatave serbe të regjistruara në Republikën e Kosovës dhe për sa prej tyre ka dyshime apo mund të jenë nën hetime, por nuk mori përgjigje.