Pas vendimit të Bidenit për sanksionimin e kolonëve izraelitë që sulmojnë palestinezët, reagon Netanyahu

Joe Biden ka nënshkruar një urdhër ekzekutiv që i lejon atij të zbatojë masa të reja për të luftuar dhunën e kolonëve, duke përfshirë sanksionet që janë shpallur kundër katër ekstremistëve izraelitë që kryen akte dhune në Bregun Perëndimor.

Duke reaguar ndaj urdhrit ekzekutiv të presidentit amerikan që sanksionon ekstremistët izraelitë, zyra e kryeministrit të Izraelit, Benjamin Netanyahu ka lëshuar një deklaratë duke thënë se “shumica dërrmuese e banorëve të Judesë dhe Samarisë janë qytetarë që i binden ligjit, shumë prej të cilëve po luftojnë tani për të mbrojtur vendin e tyre”.

“Izraeli vepron kundër të gjithë shkelësve të ligjit në të gjithë vendin”, vazhdon deklarata e Netanyahut, “dhe për këtë arsye nuk ka vend për hapa drastik rreth kësaj çështje”, raporton timesofisrael.

Theksojmë se ky urdhër ekzekutiv do t’i lejojë Shteteve të Bashkuara të vendosin sanksione financiare kundër atyre që drejtojnë ose marrin pjesë në veprime të caktuara, duke përfshirë akte ose kërcënime dhune kundër civilëve, frikësimin e civilëve për t’i bërë ata të largohen nga shtëpitë e tyre, duke shkatërruar ose konfiskuar prona ose duke u përfshirë në aktivitete terroriste në Bregun Perëndimor.

Sanksionet do të bllokojnë individët e caktuar nga qasjet në sistemin financiar të SHBA-së, duke i bllokuar ata nga çdo lloj prone në SHBA dhe duke ngrirë çdo pronë që ata tashmë mund të zotërojnë. Sanksionet do të përfshijnë gjithashtu një ndalim të hyrjes në SHBA.

Njoftimi vjen pas kufizimeve të vizave që iu bë në muajin dhjetor ekstremistëve të dhunshëm izraelitë në Bregun Perëndimor. Megjithatë, këto sanksione nuk përfshinin një komponent financiare. Numri i individëve të caktuar dhe identitetet e atyre nuk u bënë publike.

Ndryshe, grupet e të drejtave të njeriut thonë se kolonët dogjën vetura dhe sulmuan disa komunitete të vogla beduine, duke i detyruar ata të evakuohen në zona të tjera. /Telegrafi