Ish-inspektori i AKI-së: S’shoh tensione në veri, moskontrollimi i dinarit serb i ka kontribuuar krimit të organizuar

Ish-inspektori i Agjencisë Kosovare të Inteligjencës, Shkëlzen Sopjani, ka thënë se nuk sheh indice për tensione në veri të vendit pas vendimit të Bankës Qendrore të Kosovës (BQK) për dinarin serb.

Ai tha se marrë parasysh se janë ndërmarrë edhe disa veprime nga institucionet e Kosovës, të cilat i quajti goxha ekstreme, nuk ka pasur tensionim të situatës.

“Edhe këtë vendim po e shoh kryekëput në funksion të shtrirjes së rendit e ligjit por edhe në funksion të luftimit të krimit të organizuar, marrë parasysh se nuk është që po ndalohet apo legalizohet dinari në Kosovë, por qëllimi i vendimit është të kontrollohet rrjedha e parasë e jo të legalizohet”, tha Sopjani në Klan Kosova.

Më tej, ai tha se nuk ka vendim të BQK-së që e bën dinarin ilegal në Kosovë, por sipas tij, vendimi ka të bëjë me futjen në sistemin bankar të Kosovës së rrjedhës së dinarit në vend.

“Mos të harrojmë se rrjedha e dinarit në formën si ka qenë deri tash, kryekëput ka pasur të bëjë me mirëmbajtjen dhe financimin e strukturave paralele të Serbisë në Kosovë”.

“Pra, mos kontrollimi i rrjedhës së parasë i ka kontribuar shumë edhe krimit të organizuar, ka financuar edhe veprime kriminale e terroriste”, tha ai.