Deponia ilegale e bërllokut në “Kodër të Trimave” sjell qen endacakë, banorët në rrezik 

Banorët e lagjes "Kodra e Trimave" në Prishtinë po përballen tash e sa kohë me një deponi ilegale, nga sjelljet e mbetjeve inerte nga qytetarë të ndryshëm.

Më shumë se mbeturinat, këta kanë edhe një hall tjetër – atë të qenve endacakë, që tashmë si duket këtë deponi e kanë shndërruar në strehë.

Sipas banorëve, krejt ky bërllok vjen nga qyteti, e që po del të jetë një shqetësim për të gjithë, veçmas për ata që jetojnë pak më afër hapësirës, tashmë deponi.

Siç thonë këta të fundit, një burim tjetër i ndotjes në këtë hapësirë janë edhe mbetjet nga kafshët e therura, ndërsa tregojnë gjithashtu se problemin e kishin adresuar edhe te Komuna e Prishtinës, por pa asnjë rezultat.

Meqë nuk pati intervenim, banorët ishin munduar të bëjnë zgjidhje vetë, duke djegur mbeturinat e duke vendosur një rrethojë, si shenjë për të mos sjellë bërllok më – por e gjitha në vesh të shurdhër.

Për gjithë këtë situatë, Dukagjin Gashi, shef i Sektorit për Menaxhimin e Mbeturinave në Komunën e Prishtinës, tha se sikur në rrugën “Xhavit Berisha”, janë edhe në disa rrugë tjera që janë krijuar deponi të tilla, porse Komuna e Prishtinës do të vazhdojë me largimin e tyre dhe se puna do të fillojë qysh në pranverë. /klankosova