Ramadani: KFOR-i s’e lejoi ministrin Krasniqi të hyjë në objektin e Komunës së Zveçanit, kjo është shqetësuese

Ish-kryeinspektori i Agjencisë Kosovare për Inteligjencë, Burim Ramadani, ka deklaruar se ministrit të Administrimit të Pushtetit Lokal, Elber Krasniqi, i është ndaluar hyrja në objektin e Komunës së Zveçanit nga ana e KFOR-it.

Ai, përmes një postimi në rrjetin social Facebook, ka thënë se ngjarja ka ndodhur të hënën, derisa ministri kishte shkuar për ta takuar kryetarin e Komunës së Zveçanit.

“KFOR-i nuk e lejoi ministrin Elbert Krasniqi të hyjë në objektin e Komunës së Zveçanit. Ngjarja ka ndodhur këtë të hënë, më 29 janar 2024, në orët e pasdrekës derisa ministri i Qeverisë së Kosovës shkoi për ta takuar kryetarin e Komunës së Zveçanit”, ka shkruar Ramadani në Facebook.

Ai tutje ka thënë se KFOR-i ka kthyer mbrapsht ministrin Elbert Krasniqi nga Komuna e Zveçanit, “duke dhënë kështu një indikacion, për mua, shqetësues për fazën se si KFOR duket që ka vendosur të ushtrojë kompetencat e veta”.

“Në fakt, KFOR-i nuk ka pasur të drejtë t’i ndalojë hyrjen ministrit Krasniqi, ndërsa kjo është një dëshmi fort e keqe për nivelin e raporteve midis Qeverisë së Kosovës dhe prezencën ndërkombëtare ushtarake”, ka shtuar Ramadani.