“Shtëpia e Zotit”, shfaqja që mori duartrokitje në “Talia e Flakës”

Teksti i autorit Ledian Gjeci, i vënë në skenë nga regjisori Ilir Bokshi, me një kastë aktorësh nga Teatri Kombëtar Shqiptar (Tiranë); Teatri Shqiptar i Maqedonisë së Veriut (Shkup) dhe Teatri Kombëtar i Kosovës (Prishtinë), është prezantuar në natën e dytë të festivalit të dramës shqipe në Gjilan “Talia e Flakës 2024”.

“Skena e ngjeshur me skenografi funksionale, me numër të madh të aktorëve që defilonin vazhdimisht e thuajse paralelisht në të njëjtën kohë, ishin veçori dalluese që e karaterizonin shfaqjen 'Shtëpia e Zotit”, thuhet në njoftimin për media.

Shfaqja ka për rrëfim një festë të pazakontë, gjatë së cilës grabitet shtëpia ku përpunoheshin bimë narkotike. Për shkak të lidhjeve familjare, personazhet e dramës shfaqen të hutuar pas këtyre akteve.

“Rrjedha e situatave rezultonte e natyrshme, përkundër vështirësive që paraqiteshin herë-herë, si rrjedhojë e skenave të ngjeshura, e zhvillimeve dinamike dhe konfliktuoze të imponuara nga vet ndodhitë dhe ngjarjet”, vazhdon njoftimi i festivalit.

Sonte në natën e tretë të festivalit të dramës “Talia Flakës”, do të jepet shfaqja “Grafitet” nga Teatri i Preshevës, me autor e regjisor, Naser Shatrolli.